Ditën e mërkurë, Komuna e Prishtinës, në një pritje ceremoniale të kryesuar nga kryetari i Komunës, z. Përparim Rama, në mjediset e Komunës së kryeqytetit të Kosovës i shprehu mirënjohjen për kontributin e tij në jetën ekonomike, shoqërore dhe sportive të kryeqytetit dhe të Kosovës, z. Avni Ponari, CEO-s së SIGAL.
Kryetari i Komunës, z. Përparim Rama, për këto kontribute, në emër të qytetarëve të kryeqytetit të Kosovës i dha Çmimin e Mirënjohjes CEO-s së SIGAL, z. Avni Ponari.
Ponari është themeluesi i SIGAL, kompania e sigurimeve që operon në tre vende të rajonit, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
Në Kosovë, përmes SIGAL, z. Ponari ka qenë shumë i pranishëm në disa aktivitete shoqërore, kulturore e sidomos jetën sportive, ku investoi në një ndër projektet sportive më fituese në Ballkan, SIGAL Prishtinën e basketbollit.
Skuadra kryeqytetase ka shënuar numrin jubilar të 40 trofeve në histori, pjesa më e madhe e të cilave të arritura në këto 21 vjet bashkëpunim me SIGAL, mes të cilave kampionate, kupa dhe superkupa të Kosovës, si edhe 3 liga Ballkanike.
“Avni Ponari basketbollin nuk e pa si lojë, por si një vullnet të përbashkët, dhe prej atyre që e shihnin nga tribuna, krijoi një popull që me të krehohet.
Për këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm, në shenjë falenderimi sot i dhamë mirënjohje në emër të Kryeqytetit.
Prishtina krenohet me ty!”, shkroi kryekomunari i Prishtinës në fejsbukun e tij zyrtar pas pritjes ceremoniale.
Ponari, përmes SIGAL Group, hyri në tregun kosovar në vitin 2003, vetëm katër vite pasi themeloi kompaninë në Shqipëri. Me dy kompani sigurimi – një për jo-jetën dhe një për sigurimet e jetës – SIGAL u bë një emër kyç në tregun e sigurimeve në Kosovë.
Brenda pak vitesh, kompania u konsolidua si një nga liderët e sektorit, duke ruajtur një pjesë të qëndrueshme të tregut dhe duke ofruar shërbime me cilësi të lartë. Sot, rrjeti i SIGAL numëron mbi 2000 punonjës dhe agjentë, me mbi 1000 zyra aktive në tre shtete – Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut.