Lajme

Çfarë siguruan shqiptarët gjatë 2023-shit? Ponari: Edhe bizneset të ngurta, pak të interesuara

Shqiptarët kanë paguar më shumë për të siguruar pronat, jetën, shëndetin dhe automjetet përgjatë vitit 2023.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregojnë se për 12 muajt e vitit të shkuar, vlera e paguar për t’u siguruar arriti në 22.9 miliardë lekë, apo mbi 200 milionë euro.

Në 5 vitet e fundit, kjo është shifra më e lartë në tregun e sigurimeve.

Por tendenca në rritje vjen si pasojë dhe e sigurimit të detyrueshëm.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë mbi 60% të totalit të tregut, duke lënë pas sigurimin vullnetar.

Në një intervistë për A2 CNN, CEO i “SIGAL UNIQA Group Austria”, Avni Ponari shprehet se, për shkak të mentalitetit të vazhdon, qytetarët por edhe bizneset janë pak të interesuara për sigurimet, pavarësisht se i dinë risqet që i kërcënojnë.

“Nuk është se është e lirë dhe qytetarët do të shkojnë të marrin produktet, se e kanë të domosdosshme. Të sigurojnë biznesin nga zjarri, nga përmbytja apo ta sigurojë nga ndërprerja e biznesit. Apo nga rreziqe të tjera që janë nga më të ndryshmet.

Pra, secili e di çfarë risku ka dhe çfarë duhet të sigurojë. Por në përgjithësi, edhe bizneset janë të ngurta. Janë pak. Janë ato investimet e huaja. Pjesa tjetër, e bizneseve shqiptare, nuk është se janë të interesuara për sigurimin. Për arsye të mentalitetit. Sepse i njëjti mentalitet është në Shqipëri.

Atëherë çfarë ndodh? Bizneset duke qenë se marrin kredi janë të detyruar të bëjnë sigurimin e pasurive dhe kolateraleve që lenë nëpër banka dhe jetës, për shkak të kredive që marrin”, thotë ndër të tjera për A2 CNN themeluesi dhe CEO i kompanisë më të madhe të sigurimeve në vend.