Sektori i sigurimeve si industri luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonomitë dhe zhvillimin e tregut jo-financiar të vendeve në zhvillim siç është edhe rasti i Shqipërisë. Në fakt, një zhvillim i tillë i tregut të sigurimeve në raport me tregjet e tjera financiare jo-bankare është vënë re jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumicën e vendeve të tjera evropiane për shkak të vetë karakterit dhe dinamikave që karakterizojnë këtë treg.
Sigurimet në Shqipëri kanë filluar mjaft vonë krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara dhe janë zhvilluar me karakteristikat dhe historikun e tyre. Doktrina shqiptare flet për ekzistencën e sigurimeve duke filluar nga periudha përpara Luftës së Dytë Botërore, atëhere kur në vitet 1930-1940 shoqëri të huaja sigurimi, kryesisht italiane, ndihmuan në krijimin e një tradite të mirë e mjaft të nevojshme për tregun e sigurimeve në Shqipëri. Fillimisht aktiviteti i tyre sigurues ishte përqëndruar në qytetet kryesore të vendit dhe përfshinte produkte si: sigurimi i ndërtesave, në industri, sigurimi i aksidenteve, i jetës dhe sigurimi nga fatkeqësi natyrore. Pas Luftes së Dytë Botërore, me vendosjen e rregjimit komunist qeveria shtetëzoi industrinë, bankat dhe të gjithë kapitalin tregetar në vend. Kjo ndikoi automatikisht edhe në të gjithë sistemin e sigurimeve duke reflektuar në këtë mënyrë politikat e qeverisë komuniste në strukturimin dhe ndërtimin e tij.
Duke filluar nga viti 1948 deri në vitin 1965 në Shqipëri filluan të njiheshin forma të reja sigurimi si: sigurimi i detyrueshëm i banesave shtetërore të dhëna me qera; sigurimi i detyrueshëm i pasagjerëve; sigurimi vullnetar i pasurisë, ndërtesave dhe pasurive të paluajtëshme; sigurimi vullnetar i jetës; sigurimi vullnetar i kulturave bujqësore dhe i blegtorisë; sigurimi vullnetar i jetës nga fatkeqësitë; sigurimi vullnetar i sendeve shtëpiake; sigurimi vullnetar i pasurisë së ish-kooperativave bujqësore, organizatave e shtetasve dhe i gjësë së gjallë; sigurimi i detyrueshëm i mallrave të importit, të anijeve dhe transhiqipit (ish ndërmarrja e transportit ndërkombëtar); sigurimi vullnetar i ndërtesave nga zjarri, etj.
Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri ekzistonte vetëm Instituti Shtetëror i Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve, një institut i cili merrej me mbledhjen e kursimeve të qytetarëve, e atyre pak kursimeve që ata kishin, dhe sigurimin e kooperativave dhe ndërmarrjeve të eksport-importit.
Me krijimin e parlamentit të parë pluralist, në 31 korrik 1991 u miratuan edhe dy ligjet e para për krijimin e dy institucioneve financiare: Banka e Kursimeve dhe Instituti i Sigurimeve (INSIG), duke ndarë në këtë mënyrë Institutin Shtetëror të Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve. Në këtë moment, Shqipëria kaloi nga një ekonomi e centralizuar drejt një ekonomie të lirë tregu, ku mbizotëronte prona private dhe parimi i iniciativës së lirë ekonomike.
Tregu i sigurimeve do të kthehej kështu në segmentin e parë të rëndësishëm të tregut financiar që u zhvillua më shpejt pasi Shqipëria hyri në modelin e ekonomisë së tregut të lirë në dekadën e fundit të shekullit të shkuar. Tregu i sigurimeve është tregu më i madh dhe më i avancuar i sektorit financiar jo-bankar. Kompanitë që operojnë në tregun e sigurimeve, së bashku me fondet e investimeve dhe fondet e pensioneve private janë nën mbikëqyrjen e drejtëpërdrejtë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), dhe jo nga Banka Qëndrore.
Tregu i sigurimeve ka shënuar një zhvillim të gjatë dhe rritje pozitive përsa i takon gamës së gjerë të produkteve dhe shërbimeve që ajo ofron, si edhe të shtrirjes së tij gjeografike në të gjithë vendin dhe në disa vende të tjera fqinje në rajonin e Ballkanit ku jetojnë popullsi të tjera shqiptare, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Ky potencial bazohet në kushtet e favorshme ekonomike, rregullatorët e avancuar, një sistem mbikëqyrës, një shkallë të ulët të pentrimit të tregut si edhe nga komuniteti i biznesit dhe popullsia, të cilat janë dinamike dhe lehtësisht të përshtatshme.
Pavarësisht zhvillimeve tejet pozitive të njëzet viteve të fundit në forcimin e themeleve dhe të qëndrueshmërisë së industrisë së sigurimeve në vend, si edhe duke iu referuar treguesve demografikë dhe ekonomik nga INSTAT vëmë re se, potenciali i zhvillimit, rritjes dhe zgjerimit të mëtejshëm të industrisë është i madh dhe se fusha të reja mund të ‘shkelen’ në këtë drejtim. Shqipëria vazhdon të mbetet një nga vendet me moshën mesatare më të re në Evropë, me 35.4 vjeç. Por nga ana tjetër, vihet re, tendenca në rritje e numrit të të moshuarve, në përgjithësi dhe e jetëgjatësisë së popullsisë, në veçanti: 80,5 vjeç për femrat dhe 77,4 vjeç për meshkujt. Megjithëse, Shqipëria mbetet ende një popullsi e re krahasuar me tendencat e përgjithshme të vendeve të BE-së, vitet e fundit ka një ulje të numrit të të rinjve dhe rritja e numrit të të moshuarve si pasojë e emigrimit, uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë. Për më tepër, bazuar në pasqyrat ekonomike globale të FMF-së për vitin 2018, Shqipëria së bashku me Kosovën renditen të fundit në Evropë për të ardhurat për frymë në vit: me 5,261 dollarë për Shqipërinë dhe 4,324 dollarë për Kosovën. Ndërsa, penetrimi i sigurimeve në PPB është vetëm 0.6%, ndërkohë që në Europën Qendrore dhe Lindore është 2.5%, ndërsa në BE shkon në 7.6%.
Pavarësisht këtyre tendencave, industria e sigurimeve ka pësuar ndryshime dramatike gjatë viteve të fundit, duke i ofruar ndihmë dhe mbështetje komunitetit të biznesit dhe entiteve të tjera në mbështetje ekonomike dhe financiare, duke zvogëluar rreziqet dhe humbjet si pasojë e katastrofave natyrore dhe pasiguri të tjera.
Sipas të shifrave të AMF-së, primi për frymë në Shqipëri në vitin 1999 ishte 562 Lekë, ndërsa sot është mesatarisht 35 euro në vit, i cili krahasuar me vendet e tjera të rajonit është më i ulti me Kosovën 43 euro dhe Maqedoninë e Veriut me 65 euro. Ndërsa, mesatarja e primit për frymë në vit për vendet e BE-së është mesatarisht 2,154 euro në vit. Kroacia dhe vendet e tjera kanë patur zhvillim më të madh pasi Shqipëria vazhdon të mbetet një vend më i varfër në këtë pikëpamje pavarësisht përpjekjeve të bëra në këtë drejtim. Faktor tjetër këtu është kultura dhe mentaliteti ynë relativisht e dobët mbi vlerësimin e të qenit të siguruar si një mbrojtje financiare ndaj të papriturave të jetës por duke e konsideruar atë si një taksë shtesë, kur në fakt, të sigurohesh është një shërbim siç janë shërbimet e tjera.
Në këtë drejtim mbetet ende shumë punë për të bërë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin financiar të popullsisë mbi domosdoshmërinë e të qenit të siguruar si një garanci financiare e së ardhmes së tyre. Në Shqipëri mungon gjithashtu kuadri ligjor dhe rregullator mbi përgjegjësistë publike me qëllim sigurimin e çdo ngjarje apo infrastrukture duke ofruar mbrojtje financiare në rast se dikujt i shkaktohen dëme. Nëse këto përgjegjësi do të ishin të mbuluar në mënyrë të detyrueshme me ligj për çdo ngjarje do të ketë kompensimin financiar përkatës. Megjithatë, tregu i sigurimeve tashmë prej disa vitesh shërben si një mbështetje e qëndrueshme në zhvillimin social dhe në kontributin financiar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit nëpërmjet reduktimit të rrezikut nga humbjet e së ardhmes.
Kompania e parë e sigurimeve private në Shqipëri SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA
Kompania e parë e sigurimeve në Shqipëri u themelua në vitin 1991 si një kompani shtetërore e quajtur INSIG. Kështu, ndërmjet viteve 1991-1999, tregu i sigurimeve në Shqipëri ishte monopol shtetëror. Në vitin 1996 me liberalizimin e tregut u krijuan kushtet për themelimin e kompanive private të sigurimit. Në filim të vitit 1999, ishin tre kompani të cilat operonin në tregun shqiptar të sigurimeve: INSIG (si një kompani shtetërore), Sigal Sh.a dhe Sigma. Sot ka gjithsej 11 operatorë në tregun shqiptar të sigurimeve, nga të cilat 8 janë kompani sigurimi jo-jete dhe 3 janë kompani sigurimi jete. Kompanitë e sigurimit ofrojnë lloje të ndryshme sigurimi sipas liçensave.
Në vitin 1999, Sigal sh.a u inkorporua si një kompani e përbashkët aksionesh sipas Ligjit Nr. 8081, datë 7 mars 1996, “Mbi biznesin e sigurimit dhe të risigurimit” dhe u regjistrua në Regjistrin Tregtar Shqiptar të Rrethit të Tiranës me Vendimin Nr. 20863, datë 22 shkurt 1999 dhe aktualisht ushtron aktivitetin konform Ligjit Nr. 9267, datë 29.7.2004 “Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime”, ndryshuar me Ligjin Nr. 9338, datë 16.12.2004 dhe Ligjin Nr. 9685, datë 26.02.2007.
Falë strategjisë së shkëlqyer, modelit të biznesit, menaxhimit financiar nga drejtuesit dhe punës së palodhur të punonjësve të saj, SIGAL sh.a u rrit shpejt, duke fituar një pozicionim dominues dhe të fuqishëm duke e shndërruar atë në kompaninë më të madhe të sigurimeve në vend. Në këto 20 vite SIGAL ka udhëhequr tregun e sigurimeve me rreth 30 %.
SIGAL sh.a është kompania e parë që tërhoqi vëmendjen dhe potencialin kapitalizues të investitorëve të huaj, fillimisht nëpërmjet Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, që bleu 13.3% të aksioneve të kompanisë dhe më pas të gjigandit austriak të sigurimeve në të gjithë Evropën Juglindore, UNIQA Group Austria e cila fillimisht u përfshi në këtë proces nëpërmjet pjesëmarrjes nominale për t’i hapur rrugë legjitimitetit të plotë të planeve strategjike të zhvillimit.
Në vitin 2007, SIGAL sh.a dhe UNIQA Group Austria nënshkruan një marrëveshje, duke e kthyer atë në aksionerin më të madh dhe që zotëron 86.9% të aksioneve, ndërsa 13.1% zotërohet nga kapital vendas. UNIQA Group Austria numëron mbi 20 mijë punonjës, 10.1 milionë klientëve, 33 miliardë euro në asete dhe mbi 7 miliardë euro prime në vit.
Bazuar në të dhënat zyrtare në Raportin Vjetor 2018 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), deri më datë 31.12.2018, SIGAL UNIQA Group Austria kryeson tregun e sigurimeve në vend duke zënë 26% të peshës së sigurimeve të Jo Jetës dhe 56% të sigurimeve të Jetës. Pesha e dëmeve të paguara për sigurimet e Jetës është 44.60%, ndërsa për sigurimet e Jo-Jetës është 41.44%. Në Shqipëri mbi 60% e primeve të sigurimit janë sigurime të detyrueshme, por ndërkohë SIGAL UNIQA kompani që në portofolin e saj ka mbi 50% të primeve nga sigurimet vullnetare.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), deri më 31.05.2019, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA kryeson tregun me: 62.60% të tregut të sigurimit të Jetës; 26.10% të tregut të sigurimit të Jo-Jetës; 21.50% të sigurimeve motorrike; 38.57% të sigurimit të Pasurisë; 35.83% të sigurimit të Aksidenteve dhe të Shëndetit; 47.43% Të tregut të Pensioneve Private për vlerën e aseteve neto.
SIGAL UNIQA Group AUSTRIA është shndërruar në një grup rajonal sigurimesh, me 8 kompani sigurimi Jetë dhe Jo-Jetë, Risigurime dhe Fond Pensionesh. SIGAL UGA është kompania e vetme që ofron të gjitha klasat e sigurimit me 42 produkte, me rreth 1,500 punonjës dhe agjentë, dhe mbi 900 zyra ku ajo operon dhe zhvillon aktivitetin e saj në 3 shtete: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Sot SIGAL UNIQA Group AUSTRIA është kthyer në kompaninë e parë lider më të suksesshme, më të madhe dhe më të besuar në sigurimet Jo Jetë dhe Jetë, i vlerësuar si i tillë nga rrjeti i klientëve dhe partnerëve tanë.
Kerko ne SIGAL
Të Fundit
- “Bankat të forcojnë sigurinë kibernetike”/ Produkti unik nga SIGAL UNIQA dhe çfarë ofron ai
- Pse është i rëndësishëm Sigurimi i Shtëpisë
- Këshilla për parandalimin e Kancerit të Gjirit: Si të kujdesemi për shëndetin tonë
- Keni vendosur të studioni jashtë Shqipërisë? SIGAL UNIQA, mbrojtja e duhur shëndetësore për çdo student shqiptar
- Si të kujdeseni për shëndetin gjatë ditëve vjeshtës dhe periudhës së virozave
Arkivat
SIGAL UNIQA ju ofron paketa të ndryshme sigurimi për ...
Individe
Dëshironi të siguroni shëndetin, makinen apo pronën tuaj. Tani ju mund te blini siguracionin tuaj online.
Biznes Micro / SME
Të kesh një biznes të vogël apo të mesëm ka sfidat e veta ndaj në SIGAL UNIQA kemi ndërtuar paketa sigurimi për ju.
Korporate
Cdo biznes i cili ka xhiro vjetore mbi 250 milione lek te reja konsiderohet biznes V.I.P ose Biznes Korporate.