Lajme

“Sigurimet ndihmojnë në krijimin e një qytetari të pavarur, të lirë e të qetë”

Ndërsa vitet kalojnë, mbyllim studimet, gjejmë një partner, krijojmë një familje dhe ndoshta një biznes. Por teksa rreziqet shtohen vazhdimisht, na duhet një partner, i cili na mbron financiarisht në rast sëmundjeje apo aksidenti të papritur; kur na dëmtohet banesa apo biznesi apo edhe kur dalim në pension.

Dhe këtu futen në lojë sigurimet, shtylla kryesore financiare në një ekonomi të lirë tregu.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, CEO i SIGAL dhe një nga pionerët e sigurimit në Shqipëri Avni Ponari rëndit disa arsye mbi rëndësinë që ka kjo industri në jetët e individëve dhe në funksionimin e një shteti.

Sipas tij, sigurimet luajnë një rol të rëndësishëm në pavarësinë dhe stabilitetin e çdokujt.

Postimi i plotë:

Sigurimet luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e një niveli të lartë pavarësie dhe stabiliteti financiar për individët dhe largojnë përgjegjësitë shtetërore pas çdo ngjarjeje sigurimi.

Sigurimet ndihmojnë në krijimin e një personi të pavarur, të lirë dhe të qetë.

Mbrojtje financiare: Sigurimet (si ato të shtëpisë, makinës, biznesit shëndetit, prodhimeve bujqesore blegtorale etj ) mbulojnë rreziqet e papritura që mund të kenë ndikim të madh financiar.

Kjo do të thotë se individi nuk varet nga ndihma shtetërore ose të tjerët në raste emergjencash kur ai ka një kontratë sigurimi.

Një pension privat ju lejon të planifikoni të ardhmen tuaj pa qenë i varur nga pensionet shtetërore, të cilat shpesh mund të jenë të kufizuara nje pension privat eshte i trashegueshem dhe i percaktuar ne vlere nga cdo individe dhe varet nga shuma qe secoli do te jet pjese e nje skeme pensioni privat.

Sigurimi shëndetësor privat ju jep qasje më të shpejtë dhe cilësore në kujdesin mjekësor, duke reduktuar varësinë nga sistemi publik, që mund të jetë i mbingarkuar ose me kufizime nje sigurim shëndeti privat sot është domosdoshmëri për shumë faktorë.

Sigurimi i shtëpisë dhe biznesit ju mbron nga humbjet financiare të mëdha që mund të ndikojnë në stabilitetin tuaj ekonomik. Kjo ndihmon në ruajtjen e pavarësisë suaj ekonomike dhe duke qenë i kontraktuar për tu mbrojtur nga çdo ngjarje sigurimi.

Nëse ndodhin fatkeqësi ose situata të papritura, sigurimet ju lejojnë të përballeni me to pa u mbështetur në ndihmën sociale ose fondet publike

Duke siguruar veten dhe asetet tuaja, ju bëheni më të vetëdijshëm për rreziqet dhe më të përgjegjshëm në menaxhimin e tyre.

Në thelb, sigurimet ju ofrojnë lirinë për të jetuar dhe punuar me më pak shqetësime, duke e reduktuar nevojën për mbështetje nga shteti apo të tjerët. Kjo liri dhe siguri e krijon një ndjenjë pavarësie reale dhe praktike.