Lajme

SIGAL në Shqipëri paguan 9 milionë euro dëme në 6 muaj, Ponari: 1.5 milionë njerëz në rajon na besuan

Nga raporti 6-mujor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në tregun e përgjithshëm Jetë dhe Jo Jetë, SIGAL Insurance Group-i mbajti edhe këtë herë vendin e parë me 28% të vëllimit të tregut shqiptar.

Në drejtime të veçanta, SIGAL kryeson në sigurimet e pronës, aksidenteve dhe shëndetit, shëndetit privat, shëndetit në udhëtim, në TPL, kartonin jeshil, policat kufitare dhe sigurimet motorike në tërësi.

Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti, SIGAL ka paguar 926,281,000 Lekë. Kjo shifër nënkupton më shumë pagesa dhe pagesa më të shpejta se çdokush tjetër. Këto janë 9 milionë euro dëme të paguara në kohë rekord për të siguruarit.

CEO i SIGAL, z. Avni Ponari, në lidhje me pozitat e kompanisë së tij, për TOP News dha këtë qëndrim:

“Sot, SIGAL është një brand i njohur dhe një nga brandet më të mbështetura nga tregjet ndërkombëtare. SIGAL ka partner kompanitë më të mëdha në Evropë dhe në botë. Portofoli i saj është i siguruar dhe risiguruar në kompani me emër si Hannover Re, Swiss Re, Munich Re, Allianz Re dhe plot kompani të tjera evropiane. SIGAL ndodhet në këtë pozitë për shkak të menaxhimit të kujdesshëm prej 27 vjetësh dhe njerëzve të kualifikuar që e drejtojnë në të gjithë rajonin.

Sot, SIGAL ka mbi 1.5 milionë klientë të cilët ia kanë besuar pasurinë, jetën, shëndetin dhe gjithçka tjetër që ata kanë krijuar.”

SIGAL Insurance Group-i dëshmon sërish se ruan primatin në marrëdhëniet e besimit me klientët. Me pagesat më të larta dhe mbulimin më të gjerë, është kompania më e besuar për të siguruarit dhe dëshmoi po ashtu se këtë besim vijon ta meritojë.