Lajme

SIGAL dhuron karta për ndihma ushqimore për gratë në prag të 8 Marsit

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të 8 Marsit, SIGAL Insurance Group zhvilloi një takim që synonte shprehjen e qartë të mbështetjes institucionale për gratë, duke dhuruar karta të ndihmash ushqimore për anëtaret e organizatës “Gruaja tek Gruaja” në Shkodër.

 

Kartat u dorëzuan nga znj. Alma Totokoçi, zëvendësdrejtore e përgjithshme e kompanisë, gjatë takimit që pati me përfaqësuesen e organizatës, znj. Sindi Kola, në zyrat qendrore të SIGAL Insurance Group.

 

Znj. Kola e pranoi dhuratën në emër të grave pjesëmarrëse në këtë organizatë dhe shprehu falënderimet e rastit për kompaninë SIGAL.

 

Gjatë takimit, znj. Totokoçi theksoi historikun e kujdesit që kompania ka treguar në drejtim të sipërmarrjes së përgjegjësive sociale, duke shtuar se mbështetja për gratë dhe familjet është një prioritet i vazhdueshëm për SIGAL.

 

Ajo u shpreh se kompania jo vetëm përmes dhuratave simbolike, por edhe përmes produkteve të sigurimit të dizajnuara me kujdes të veçantë që këto kategori të kenë përfitimet maksimale, synon të mbështesë gratë dhe fëmijët në jetën e përditshme.

 

Ky gjest vjen si një shenjë vlerësimi dhe solidariteti ndaj grave, veçanërisht atyre që përballen me sfida sociale dhe ekonomike me rastin e ditës së gruas. SIGAL Insurance Group, edhe në burimet e veta njerëzore, dëshmon parametrat më të shkëlqyera të barazisë gjinore.