Blog

Parkimi në diell gjatë verës? Si të mbrosh makinën kur je në plazh

Vera sjell me vete pushime, det, rërë, diell – por edhe sfida për drejtuesit e mjeteve, sidomos kur bëhet fjalë për parkimin e makinës nën diell për orë të tëra.

Temperaturat e larta nuk prekin vetëm njerëzit; ato ndikojnë drejtpërdrejt edhe te automjetet, duke shkaktuar dëmtime të padukshme por serioze në brendësi dhe sistemet teknike të tyre.

Ekspertët e këshillojnë që para se të lini makinën në një zonë plazhi ose hapësirë të pambrojtur nga dielli, të merrni disa masa parandaluese që ruajnë makinën, e gjithashtu përmirësojnë komoditetin tuaj kur të ktheheni.

 

Ja cilat janë disa nga këshillat më të rëndësishme:

Përdorni një mbrojtëse dielli për xhamin e përparmë
Ky është hapi më bazik, por ndër më efektivët. Një mbrojtëse reflektuese ndihmon në mbajtjen e kabinës më të freskët dhe parandalon zverdhjen ose çarjen e panelit të instrumenteve dhe timonit.

Mbuloni timonin dhe sediljet, sidomos ato prej lëkure
Temperatura e sipërfaqeve të brendshme mund të bëhet aq e lartë sa të shkaktojë djegie në kontakt me lëkurën. Përdorimi i një mbulesë për timonin ose vendosja e një çarçafi të lehtë mbi sediljet janë zgjidhje të thjeshta dhe efikase.

Lini pak hapsirë në dritare për qarkullim ajri (nëse është e sigurt)
Një ndihmë e vogël për të ulur temperaturën e brendshme, por kujdes që kjo të mos cenojë sigurinë e makinës nga vjedhjet.

Parkoni në hije ose me pjesën e pasme drejt diellit
Edhe nëse zona nuk ofron hije të plotë, përpiquni të orientoni makinën në mënyrë që kabina të mos jetë drejtpërdrejt nën rrezet e diellit.

Mos lini kurrë pajisje elektronike apo sende të ndjeshme në makinë
Telefonat, powerbank-ët, ilaçet, pijet e gazuara, madje edhe çamçakëzat apo shishet plastike mund të shpërthejnë ose të shkrihen në temperaturat ekstreme që krijohen brenda makinës.

Kontrolloni presionin e gomave para nisjes
Nxehtësia shkakton zgjerimin e ajrit brenda gomave, dhe nëse janë të fryra më shumë seç duhet, mund të ketë rrezik për dëmtime apo shpërthime gjatë udhëtimit.

Aplikoni vaks për mbrojtjen e bojës dhe përdorni mbulesa mbrojtëse për karrocerinë
Dielli dëmton bojën e makinës dhe i jep një pamje të zbehur. Vaksimi dhe mbulesat ndihmojnë në ruajtjen e pamjes estetike të automjetit tuaj për më gjatë.

Kujdes: Mos lini asnjëherë fëmijë apo kafshë në makinë, qoftë edhe për pak minuta

Temperatura brenda makinës mund të rritet me mbi 20°C në vetëm 10 minuta, duke krijuar kushte potencialisht fatale. Lënia e fëmijëve apo kafshëve vetëm në automjet, edhe për kohë shumë të shkurtër, është rrezik serioz dhe veprim i dënueshëm me ligj në shumë vende.

 

Marrja e këtyre masave nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe sigurie dhe mirëmbajtjeje afatgjatë për makinën tuaj. Vera është për të pushuar dhe për të shijuar, ndaj sigurohuni që kur të ktheheni nga plazhi, makina juaj të jetë po aq në formë sa ju!