Deri tani COVID-19 është cilësuar si ndoshta sfida më e madhe me të cilën po përballet sot bota që pas Luftës së II-të Botërore. Kjo krizë nuk ka asgjë të ngjashme me krizat e zakonshme shëndetësore kombëtare apo lokale të vendeve të botës të cilat tashmë jemi mësuar se si t’i kapërcejmë.
Por çfarë po ndodh në të vërtetë me sistemet ekonomike?
Kush po goditet më shumë?
Si do t’ia dalim këtë herë? dhe
A kemi çfarë të mësojmë?
Thuajse si në çdo krizë të çdo lloji, biznesi është ai që merr goditjet më të mëdha. Sigurisht që krizat, së bashku me sfidat dhe efektet negative sjellin me vete shumë mundësi të reja duke na ndihmuar që të mendojmë dhe kuptojmë se sa shumë gjëra duhen bërë ndryshe.
Në kohë krizash disa biznese mund të përfundojnë deri në pezullimin e përkohshëm apo falimentim i tyre, por për disa sektorë të tjerë, siç po shikojmë, farmacitë, supermarketet dhe dyqanet ushqimore, etj., janë në një stad tjetër, me një funksionim normal dhe duke garantuar qëndrueshmëri dhe rritje të përfitimeve të tyre.
Por në këtë stuhi të re ku ka hyrë bota dhe mbarë njerëzimi, biznesi është gjunjëzuar si kurrë më parë. Qindra mijëra prej tyre mund të mos ngrenë më kurrë kokë si: hoteleria, aktivitetet ndërtuese, fasoneria, turizmi, shërbimet e transportit ajror, rrugor e detar, si edhe shumë industri të tjera të cilat po përballen me një “armik” që është jo vetëm i padukshëm, por që mesa duket ka ardhur që të kuvendojë me ne për një kohë të papërcaktuar.
Por pyetja që shtrohet është a ka patur zgjidhje financiare kjo humbje masive dhe a duhet nxjerrë mësime nga kjo situatë?
Si mund të mbulohen ngjarje të tilla të papritura?
Cilat do të ishin rrugët e shpëtimit nga një kolaps i tillë ekonomik, financiar, politik, social dhe shëndetësor?
Natyrisht që vështirësi të mëdha kanë edhe vendet më të zhvilluara pa le më ne që jemi një vend i vogël, por kemi edhe shansin që mund ta marrim veten më shpejt, pavarësisht shkallës së zhvillimit ekonomik. Kjo situatë e përbotëshme dhe krizat e natyrave të tjera apo të kësaj natyre që janë të rralla, a kanë ndonjë mbrojtje dhe a ka gjëra që duhen dhe duheshin bërë ndryshe.
Fillimisht, industria e sigurimeve lindi nga nevojat e kohës dhe si një mënyrë e sigurt për të garantuar mbrojtjen e mallrave gjatë transportimit të tyre nga një port në një port tjetër, ku shumë anije mbyteshin nga dallgët e furishme e për shumë arsye të tjera. Por njerëzit filluan që tëminimizonin humbjet nëpërmjet skemave të sigurimit. Më pas, lindi sigurimi i anijeve, i avionëve, sigurimi kundër dëmtimeve të natyrës se produkteve agrokulturore; lindën bankat dhe sigurimi i kapitaleve të tyre; lindën forma të ndryshme biznesesh dhe sigurimi i operacioneve të tyre; lindi Teknologjia e Informacionit dhe bashkë me avancimin e saj edhe sigurimet kundër humbjeve si pasojë e krimeve kibernetike; apo sigurimi i jetës; sigurimi i shëndetit deri tek dërgimi i raketave dhe satelitëve në atmosferë dhe sigurimi i tyre etj. Kështu, si nevojë e kohës linden në rrugë institucionale skemat e garantimit dhe mbrojtjeve financiare për individin dhe kompanitë. Falë kësaj garacie siguruese askush nuk do të dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme sepse rreziku potencial është i mbuluar. Vazhdimësia është e garantuar, prandaj është industria e sigurimeve..
Të gjithë ‘sytë’ dhe shpresat e biznesit janë të drejtuara nga shteti dhe masat qeveritare ekonomike apo i shumëquajturi Plan Ekonomik pasi përgjejësia kryesore në këtë situatë është vet shteti si administruesi suprem i këtyre ditëve të të gjithë zinxhirëve të funksionimit. Nën dritën e kësaj situate totalisht bllokuese dëshiroj të ndaj me ju disa mëndime dhe disa ide.
Vetëm përpara tre muajsh, më 26 nëntor 2019 ne u goditëm nga një tërmet me pasoja shkatërruese ekonomike dhe sociale, dhe me humbjen e jetës së mbi 51 personave. Tregu i sigurimeve veproi shumë shpejt me të dëmtuarit e siguruar, duke ju bërë pagesat sipas kontratave dhe kushteve të sigurimit Pra të demtuarit dhe siguruesit në përgjithësi i përmbushën detyrimet ndaj njeri-tjetrit duke garantuar vijimësinë.
Disa të siguruar, madje edhe nga ata që janë pjesë e strukturave të larta u përpoqën që të përfitonin nga kjo situatë. Sigurisht që këto ishin në numër më të vogël 3 apo 4 persona krahasuar me barrën totale të dëmeve për mbi 2,000 raste sigurimi të paguara që kalojnë.
Madje edhe një mik i imi më pyeti, “Avni, nëse prona ime do të kishte qenë e siguruar me SIGAL UNIQA, a do të mi kishit paguar të gjitha dëmet?” Dhe unë i thashë, “Po, sigurisht, një më një!” Atëherë ai me një të qeshur djallëzore më tha, “Po të paguaj tani dhe ti bëj sikur unë të isha i sigurar më parë…” Kështu, ai po kërkonte diçka që nuk i takonte. Por sa veta u dëmtuan nga tërmeti? Me mijëra! Por përfitues ishin pak. Sepse duhet të ishin të gjithë të siguruar dhe ato dy tre ditë pas tërmeti pati ndonjë të siguruar. Më pas toka u qetësua dhe njerëzit heshtën?! Përsëri në dorë të Zotit! A ka më mire?
Situata është pothuajse e njëjtë. Nuk kemi tërmet, por kemi pandemic. Pyetja është: Po a ka sigurim ndaj pandemisë? Por e kam thënë disa here: çdo gjë është e sigurueshme. Klienti e di se nga se është i rrezikuar. Kompania e sigurimit ofron sigurimin sipas kërkesës së klientit.
Nëse këto biznese që sot janë mbyllur përkohësisht do ishin të siguruara, atëherë gjithçka do ishte paguar. Pra nëse një fason, hotel apo linjë ajrore do kishte marrë edhe këte lloj sigurimi përveç sigurimeve bazë, atëhere shoqëritë e sigurimit do bënin kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemija. Kompanitë e sigurimit më të mëdha sot në botë po mbledhin të dhëna për klientët e siguruar për të bërë llogaritjen e vlerave të dëmit pas ndërprerjes së biznesit dhe kompensimit të dëmeve të shpërblimit të punonjësve për kohën e qëndrimit pa punë. E pra gjithçka është e mundur, por për ne është pak e vështirë ta kuptojmë dhe besojmë, por ja që ekzistojnë edhe këto sigurime sepse kjo industri i ka edhe ekspertizat dhe kapacitet financiare.
Në të gjithë këtë peisazh ndikon trashëgimia jonë, e një mentaliteti komunist, ku mendohet që është shteti ai që duhet të na nxjerrë nga çdo fatkeqësi, dhe jo si përgjegjësi e vet individit. Mbizotëron një mendim i shtrembëruar se sigurimi është vetëm në interes të fitimit të kompanive të sigurimit. Dhe kështu, individi vazhdon të jetë në qiell të hapur, apo siç na pëlqen neve që të themi: “në mëshirë të zotit.” E si ta ketë shkruar Zoti. Epo ne gjithashtu themi se, “Zoti thotë: ti ruaju pak, dhe unë të ruaj shumë!”
E pra ne duhet të marrim përsipër përgjegjësitë tona dhe të bëjmë atë që është në dorën tonë, që në këtë rast do të thotë, ne nuk parashikojmë dot, por ne mund të mbrohemi!
Ndërprerja e biznesit është rrisk i sigurueshëm dhe kushtet për këto mbulime janë si kushtet e sigurimit për rreziqe të tjera, dhe këto nuk i kemi nxjerrë ne, por bota e qytetëruar ku ka qindra vjet qe i blejnë këto sigurime për të qenë të qetë dhe pert ta ndjerë veten të sigurt.
Gjithçka kemi ndërtuar me mund dhe me djerë në këtë jetë, vet jetën tone, shëndetin, biznesin, pasuritë, mirëqenien, sigurinë tonë, ndaj duhet të bëjmë çdo gjë kemi në dorë për të minimizuar çdo rrezik që mund të na kanoset dhe të mbrojmë dhe garantojmë të ardhmen tonë financiare.
Të sigurohesh nuk është biznes, por përgjegjësi! Mbrojtje!Siç thonë amerikanët, “Sigurimim më mirë ta kesh dhe ne mos të të duhet, se sa të të duhet dhe mos ta kesh!”
Sigurimet nuk parandalojnë!
Sigurimet mbrojnë!