“Revolucioni ka qenë gjithmonë në duart e të rinjve. Të rinjtë e trashëgojnë gjithmonë revolucionin”-Huey Newton
8 dhjetori shënon “Ditën e Rinisë”, simbolikë e lëvizjeve rinore në Shqipëri në fillimvitet ’90 që u bënë protagonistë të kthesës së madhe historike në vendin tonë për ndryshimin e regjimit. Një organizim si mënyrë e mirë për të ndalur hemoragjinë që një vend në trazicion e pengon të përparojë me hapin e kohës.
Prej vitit 2009, kjo datë përkujtohet si një festë kombëtare në nder të të rinjve shqiptar që ‘luftuan’ për t’i dhënë fund vetëizolimit të Shqipërisë me protesta paqësore. Si rezultat sollën demokracinë dhe ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore e të shtetit të së drejtës për integrim në Evropë.
Sot pas më shumë se tre dekadash, Dita e Rinisë në Shqipëri nderohet me festime dhe ngjarje të ndryshme për energjinë dhe potencialin e të rinjve në shoqëri. Kjo është një mundësi gjithashu për të theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të vendit.
Rinia ka një rol thelbësor në zhvillimin dhe ndryshimin e një vendi, mundësinë e përfshirjes së tyre në një revolucion, por ideve të reja. Energjia dhe pasioni, kreativiteti dhe inovacioni, forca, por edhe pjesëmarrja masive në organizime në të mirë të shtetit, janë potencial i sigurisë për ndryshime thelbësore në ndërgjegjësimin e shoqërisë.
Për të pasur një evoluim të qëndrueshëm dhe të suksesshëm, një vend ka nevojë për të investuar në zhvillimin dhe përfshirjen e të rinjve në të gjitha sferat e jetës së shoqërisë. Të rinjtë janë një resurs i çmuar që mund të formojnë dhe ndihmojnë në krijuar një të ardhme më të mirë për vendin e tyre.
Në një kohë që po përjetojmë largimet masive nga Shqipëria të rinisë për një jetë më të mirë, ajo për të cilën ka nevojë për më shumë janë investimet në arsim, në punësim dhe trajnime profesionale, për më shumë mentorim dhe këshillim karriere, akses në financa dhe burim, por edhe për programe në përfshirjen sociale e favorizim në krijimin hapësirave të reja zhvillimi. Përmes këtyre veprimeve dhe përpjekjeve, një vend mund të kontribuojë në zhvillimin e të rinjve dhe në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, të pasur me mundësi dhe me potencial të lartë për rritje dhe inovacion.