Nga Roger Scruton – Dokumentar i BBC
Nëse kurdoherë, nga periudha 1750 – 1930, do të pyesnit njerëzit e kulturuar të asaj kohe se “Cili është qëllimi i poezisë, artit apo i muzikës?”, ata do t’ju përgjigjeshin: “E bukura!”. Nëse do t’i pyesnit se “Përse e bukura?, – ata do t’ju përgjigjeshin: “Sepse e bukura është një vlerë po aq e rëndësishme sa e vërteta dhe e mira. Më vonë, në shekullin e 20-të, e bukura ndaloi së qeni e rëndësishme. Asokohe, arti synonte më tepër të shkaktonte shqetësim dhe të thyente tabutë morale. Si i tillë, arti nuk kishte lidhje me të bukurën, por me origjinalitetin, pavarësisht se si arrihej ky dhe kostove të tij morale. Jo vetëm që arti e ka kthyer të shëmtuarën në kult, por edhe arkitektura mbetet po aq sterile. Sot nuk janë të shëmtuara vetëm gjërat që na rrethojnë, por edhe gjuha, muzika dhe sjelljet tona janë të ashpra, të vetëqendërzuara dhe egoiste, a thua se e bukura dhe shija e mirë nuk kanë më vend në jetën tonë. Mbi këto gjëra shkruhet me të madhe vetëm një fjalë dhe ajo është: UNË! – përfitimet e mia, dëshirat e mia, kënaqësitë e mia. Artit s’i ka mbetur asnjë përgjigje mbi këtë veç të thotë: “Po, jepi! Vazhdo!” Unë mendoj se ne po e humbasim të bukurën dhe rreziku që rrjedh nga kjo humbje është se bashkë me të bukurën, ne do të humbasim edhe kuptimin e jetës.
Jam Roger Scruton, filozof dhe shkrimtar. Profesioni im është të ngre pyetje. Vitet e fundit kam ngritur pyetje mbi të bukurën. E bukura ka qenë thelbësore për qytetërimin tonë për thuajse 2000 vjet. Që nga fillimi i saj në Greqinë e lashtë filozofia është marrë me vendin që zë e bukura në art, muzikë, arkitekturë dhe në jetën tonë të përditshme. Filozofët kanë argumentuar se nëpërmjet kërkimit të së bukurës ne i japim formë botës si një të tërë. Kjo na ndihmon edhe për të kuptuar natyrën tonë dhe qenien tonë shpirtërore. Por bota jonë i ka kthyer shpinën së bukurës. Për këtë shkak gjendemi të rrethuar nga shëmtia dhe asgjësimi. Unë dua t’ju bind mbi rëndësinë e së bukurës, mbi atë se ajo nuk është vetëm diçka subjektive, por një nevojë universale e qenies njerëzore. Nëse ne ia mohojmë vetes këtë nevojë, atëherë do të gjendemi në një shkretëtirë shpirtërore. Unë dua t’ju tregoj rrugën se si të dilni nga kjo shkretëtirë. Ajo është rruga që do t’ju çojë në shtëpi.
Mjeshtrit e mëdhenj të së shkuarës ishin të vetëdijshëm për kaosin dhe vuajtjet e mëdha në jetën e njeriut. Por ata kishin një zgjidhje për këtë dhe kjo ishte e bukura. Veprat e bukura të artit të japin ngushëllim në vuajtje dhe të mbështesin në gëzim. Ato na tregojnë se jeta ia vlen të jetohet. Shumë nga artistët modernë janë të shqetësuar nga kjo detyrë e shenjtë që ka arti në jetët tona. Ata mendojnë se thjeshtësia e jetës së përditshme nuk mund të shpjegohet. Por në vend të kësaj ato duhet të shfaqen përpara publikut. Ky model është vendosur një shekull më parë nga artisti francez Marcel Duchamp, i cili nënshkroi një pishuar nën firmën fiksive si R. Mutt (1917), dhe e paraqiti atë në një ekspozitë. Veprimi i tij ishte satirik dhe kishte për qëllim të përqeshte botën e artit dhe snobizmin që ecën krah për krah me të. Por ky veprim i Duchamp-it është interpretuar në një mënyrë tjetër, për të thënë se çdo gjë mund të jetë art, si p.sh. një dritë që fiket dhe ndizet, një kanoçe konservë me jashtëqitje njeriu, madje edhe një rresht me tulla. Në këtë mënyrë, arti nuk ka më status të shenjtë. Ai nuk na ngre më në një nivel më të lartë moral dhe shpirtëror. Është thjesht një veprim njerëzor ndaj një tjetri. Dikur arti ngrinte lart kultin e së bukurës, ndërsa tani kemi kultin e së shëmtuarës. Duke qenë se në kohët tona bota është shqetësuese, edhe arti duhet të jetë i tillë, shqetësues. Ata që janë në kërkim të së bukurës në art janë jashtë realitetit modern të kohës ku jetojmë. Ndonjëherë qëllimi është që ai, arti, të na tronditë. Por ajo që na trondit herën e parë, bëhet e mërzitshme nëse përsëritet. Kjo e ka kthyer artin në një shaka, e cila dikur mund të ishte edhe argëtuese. Por arti krijues nuk arrihet vetëm në këtë mënyrë, pra duke pasur një ide. Sigurisht që idetë mund të jenë interesante dhe argëtuese, por kjo nuk do të thotë se ajo, ideja, e meriton termin “art”. Nëse një vepër arti do të ishte thjesht një ide, atëherë çdo njeri mund të bëhet artist dhe çdo objekt mund të jetë një vepër arti. Si e tillë, nuk ka më nevojë për aftësi, shije apo krijimtari. Veprat e Duschamp-it vazhdojnë të ndikojnë rrugën e artit bashkëkohor sot. Arti i sotëm na e tregon botën ashtu siç është, siç është këtu dhe tani dhe të gjitha anët e saj të papërsosura. Por a përbën me të vërtetë art rezultati? Sigurisht që diçka nuk është vepër arti vetëm sepse ajo ofron një pjesë të realitetit, duke përfshirë edhe shëmtinë në të.
Arti ka nevojë për krijimtari dhe krijimtaria nuk ka kuptim pa u ndare me të tjerët, duke i bërë thirrje atyre ta shikojnë botën ashtu siç e shikon artisti. Kjo është arsyeja përse ne gjejmë bukuri në artin naiv të fëmijëve. Fëmijët nuk përpiqen të na paraqesin ide, por përpiqen të na tregojnë se si e shikojnë ata botën dhe që të ndajnë me të tjerët atë që ata ndjejnë. Diçka e ngjashme me kënaqësinë e dëlirë që gjendet te fëmijët gjendet te çdo vepër e vërtetë arti. Por vetëm krijimtaria nuk mjafton. Aftësitë e artistit kërkojnë që ai të jetë në gjendje të tregojë të vërtetën nën dritën e idealit duke e transformuar atë. Këtë ka arritur Michelangelo-ja në portretin e tij të madh të David-it. Kur shikojmë kopje të derdhura të Davidit, ato nuk ngjajnë aspak të bukura sepse atyre u mungon substanca kryesore, krijimtaria.
Diskutimet që më lindën janë të rrezikshme. Në kulturën e sotme demokratike shpesh njerëzit mendojnë se është e papranueshme që të gjykosh shijen e dikujt tjetër. Disa, madje, ofendohen nëse thua se ka një dallim midis shijes së mirë dhe asaj të keqe, ose se ka rëndësi ajo që shikon. Mbase njerëzit e kanë humbur besimin e tyre tek e bukura sepse ato kanë humbur besimin e tyre tek idealet. Ekziston vetëm bota e urisë së pangupur. Nuk ka vlera të tjera përveç atyre utilitare. Diçka ka vlerë vetëm nëse ajo mund të përdoret. Përse mund të përdoret e bukura? Oscar Wilde ka shkruar se “i gjithë arti është absolutisht i padobishëm”. Për Wild e bukura kishte një vlerë shumë më të madhe sesa dobia. Njerëzit kanë nevojë për gjëra të padobishme, madje edhe më shumë sesa për gjërat e dobishme në jetët e tyre. Mendojeni! Përse mund të nevojitet dashuria, miqësia, adhurimi? Për asgjë! E njëjta gjë vlen edhe për të bukurën. Shoqëria jonë konsumatore i jep përparësi dobisë. E bukura s’është veçse një efekt anësor. Duke qenë se arti është i padobishëm, atëherë nuk ka rëndësi se çfarë lexon, çfarë shikon apo çfarë dëgjon. Jemi të rrethuar nga mesazhe të nxitura nga nevoja që nuk ngopen kurrë. Kjo është arsyeja përse e bukura po zhduket nga bota jonë. Në botën e sotme një reklamë është më e rëndësishme sesa një vepër arti dhe shpesh veprat e artit përpiqen të kapin vëmendjen tonë në të njëjtën mënyrë siç bëjnë reklamat, duke na u paraqitur si të papërpunuara ose të paturpshme. Ashtu si reklamat, sot veprat e artit përpiqen që të krijojnë një markë edhe nëse ato s’kanë asnjë produkt për të shitur përveç vetes.
E bukura është si një rrugë me dy drejtime, që shkojnë njëra nga kulti i së shëmtuarës në art dhe tjetra nga kulti i dobisë në jetën e përditshme. Në botën e arkitekturës moderne këto dy kulte bashkohen në një. Në fillim të shekullit të 20-të, arkitektët, ashtu si dhe artistët, u treguan të paduruar me të bukurën, duke e zëvendësuar atë me dobinë. Arkitekti amerikan Louis Sullivan është shprehur se “forma duhet të jetë në funksion të dobisë”. Pra, mos mendoni se si duket një godinë, por filloni të mendoni se cili është qëllimi i saj, kujt i shërben ajo?! Doktrina e Sullivan-it është përdorur si justifikim për krimin më të madh që ka parë bota ndaj së bukurës. Ky është krimi i arkitekturës moderne. Por nëse diçka është e shëmtuar, atëherë ajo do ta humbasë dobinë sepse askush nuk dëshiron të jetojë apo të punojë në një vend të shëmtuar. Në vitet ‘60 publiku filloi të reagonte ndaj realitetit të shëmtuar të blloqeve prej betoni që filluan të lulëzonin në atë kohë, por arkitektët i zëvendësuan ato me një lloj tjetër ‘plehre’, siç ishin muret prej xhami, ndërtimet prej çeliku apo detajet absurde të cilat nuk kanë asnjë lidhje. Kjo më bën t’i rikthehem shprehjes së Wilde-it. Nëse do t’i jepnim më tepër rëndësi dobisë, do ta kemi davanë të humbur, por nëse rëndësi më të madhe do të ketë bukuria, ne do ta kemi fituar atë përgjithmonë. Pra del se asgjë nuk është më e dobishme sesa e padobishmja. Këtë e gjejmë tek arkitektura tradicionale me gjithë detajet e saj. Ornamentet na çliruan nga tirania e dobisë dhe nga nevoja që kemi për harmoni. Në një farë mënyre, diçka e tillë na bën të ndjehemi të rehatuar pasi na kujton se ne jemi shumë më tepër sesa vetëm nevojat tona praktike. Ne nuk udhëhiqemi vetëm nga nevoja të nivelit kafshëror, siç janë ushqimi dhe gjumi, por kemi gjithashtu edhe nevoja morale dhe shpirtërore, dhe nëse këto nevoja nuk plotësohen, po kështu të paplotësuar do të mbetemi edhe ne. Ne e dimë çfarë do të thotë që edhe në jetën tonë të përditshme të ngazëllehemi me gjërat e vogla, të kalojmë nga bota e urisë së pangopur në sferën e ndriçuar të plotësimit – një rreze drite, një melodi e harruar, fytyra e dikujt që kemi dashur – këto janë gjëra që na shfaqen papritur dhe pikërisht atëherë kuptojmë se jeta ia vlen të jetohet. Janë momente të paçmuara, gjatë të cilave ndjejmë praninë e botëve të tjera më të larta.
Qysh prej ngjizjes së qytetërimit perëndimor poetët dhe filozofët e kanë konsideruar përjetimin e së bukurës si thirrjen tonë drejt hyjnores. Platoni, që shkruante në Athinën e shekullit të IV përpara Krishtit, argumentonte se e bukura është simbol i një rendi tjetër më të lartë. “Me të bukurën në mendje – thoshte ai, – ju do të jeni në gjendje të ushqeni virtytet e vërteta dhe të bëheni kështu miq të Zotit.” Platoni ishte një idealist. Ai besonte se ne, njerëzit, jemi pelegrinë dhe mysafirë në këtë botë, ndërkohë që aspirojmë përtej, për të shkuar te “Roma e përjetshme”, aty ku do të bashkohemi me Zotin. Zoti ekziston në një botë transhendente të cilën ne njerëzit e aspirojmë, të cilën nuk arrijmë ta njohim dot në mënyrë të drejtpërdrejtë. Njëra nga mënyrat për arritjen e saj në tokë është nëpërmjet përjetimit të së bukurës. Kjo duhet si paradoks.
Për Platonin e bukura ishte para së gjithash dhe mbi të gjitha bukuria e fytyrës dhe e formës njerëzore. Dashuria për të bukurën, mendonte ai, e ka origjinën tek erosi, një pasion të cilin e ndjejmë të gjithë ne. Ne do ta quanim këtë pasion dashuri romantike. Për Platonin, erosi është një forcë kozmike e cila rrjedh tek ne në formën e dëshirave seksuale. Por nëse bukuria njerëzore ndjell dëshirë, si mund të ketë ajo lidhje me hyjnoren? Dëshirat i takojnë individit, jeta në këtë botë është një pasion i shpejtë. Dëshirat seksuale na ofrojnë një zgjedhje: adhurim ose uri e pangopur, dashuri ose epsh. Epshi merr, dashuria jep. Epshi sjell shëmti, shëmtinë e marrëdhënieve njerëzore në të cilën njëri nga personat e trajton tjetrin si një instrument të zëvendësueshëm. Për të arritur te burimi i së bukurës, ne duhet të jemi në gjendje ta kapërcejmë epshin. Dëshira pa epsh është ajo që ne kuptojmë me dashurinë platonike. Kur ne gjejmë bukurinë te një person i ri, kjo ndodh sepse ne kërkojmë dritën e përjetësisë, ato tiparet hyjnore të cilat nuk janë të kësaj bote. Bukuria e formës njerëzore është ftesë për t’u bashkuar me të shpirtërisht, jo fizikisht. Kështu, ndjenja jonë për të bukurën është një ndjesi fetare dhe jo emocion seksual. Kjo teori e Platonit është magjepsëse. Ai mendonte se e bukura është një mysafir prej një bote tjetër dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë veçse t’i gëzohemi shkëlqimit të saj. Çdo gjë tjetër e ndot dhe e çshenjtëron atë duke shkatërruar aurën e saj të shenjtë. Teoria e Platonit mbetet një nga teoritë me më shumë ndikim në histori. Përgjatë qytetërimit tonë poetët, tregimtarët, piktorët, priftërinjtë dhe filozofët janë frymëzuar nga këndvështrimet e Platonit për seksin dhe dashurinë. Po t’i drejtohemi poezive, do të gjejmë se si janë përpjekur poetët të paraqesin vizionin platonik të erotikes.
Piktori i rilindjes italiane Sandro Botticelli e ka ilustruar këtë teori të Platonit në pikturën e tij të famshme “Lindja e Venusit”, e cila tregon lindjen e perëndeshës së dashurisë erotike. Venusi e shikon botën nga një vend tjetër, që shkon përtej dëshirës. Ajo na fton t’i kapërcejmë nevojat tona të pangopura tokësore dhe t’i bashkohemi asaj përmes dashurisë së pastër të së bukurës. Modelja e Botticelli-t ishte Simonetta Vespucci. Botticelli e deshi atë deri në fund të jetës së saj të shkurtër. Madje kërkoi të varrosej në këmbët e saj. Për të ajo përfaqësonte idetë e Platonit. Ajo ishte bukuria që mund të soditej, por që nuk mund të zotërohej.
Platoni dhe Botticelli na mësojnë se bukuria e vërtetë shtrihet përtej dëshirave seksuale. Ndaj ne mund ta gjejmë të bukurën jo vetëm në një person të ri të dëshirueshëm, por edhe në një fytyrë të plakur e plot dhimbje e mençuri, siç i ka pikturuar Rembrandt-i. Bukuria e një fytyre ka të bëjë me jetën që ajo shpreh. Ajo është mishi që kthehet në shpirt. Duke parë atë, ne shohim drejt e në shpirt. Rembrandt-i na ka treguar se e bukura mund të gjendet edhe në gjërat e thjeshta të jetës së përditshme. Ajo gjendet rreth nesh dhe na duhen vetëm sytë për ta parë dhe zemër për ta ndjerë. Edhe ngjarja më e thjeshtë mund të kthehet në diçka të bukur nëpërmjet paraqitjes me zemër që piktori i bën asaj.
E bukura është vetë zbulesa e Zotit, këtu dhe tani. Kjo qasje fetare ndaj së bukurës zgjati për 2000 vjet. Por në shekullin e shtatëmbëdhjetë, me shpërthimin e Revolucionit Shkencor, dolën në pah farat e para të dyshimit mbi këtë qasje. Kisha mesjetare pranoi këndvështrimin e lashtë që toka qëndron në qendër të universit, pastaj Koperniku dhe Galilei provuan se toka vërtitet rreth diellit. Ndërsa, Newton çoi më tej punën e tyre duke na treguar se bota funksionon si mekanizmi i një ore ku çdo ndodhi është pasojë e një veprimi ndaj një veprimi paraprijës. Ky ishte vizioni i ndriçuar që e përshkroi botën tonë si një vend ku nuk ka vend për Zotin apo për shpirtin, as për idealet dhe vlerat. Nuk ka vend për asgjë përveç lëvizjes mekanike që e rrotullon Hënën rreth Tokës dhe Tokën rreth Diellit pa asnjë qëllim.
Në qendër të universit njutonian qëndron një boshllëk shpirtëror. Këtë boshllëk e plotësoi një filozof në veçanti. Ai ishte Anthony Ashley Cooper, konti i 3-të i Shaftesbury-it. Sipas tij, shkenca mund ta shpjegojë botën, por ky këndvështrim është i paplotë. Ne mund ta shohim botën edhe nga një perspektivë tjetër. Jo për ta shpjeguar, por për të përjetuar ekzistencën e saj. Ashtu siç mund të sodisim një peizazh apo një lule. Ideja që bota është e magjishme dhe që për ta ndjerë këtë nuk ka nevojë për asnjë doktrinë fetare i dha përgjigje një nevoje emocionale shumë të thellë. E bukura nuk u soll në tokë nga Zoti, por u zbulua nga njerëzit. Idetë e Shaftesbury-të inkurajuan kultin e së bukurës duke i ridhënë artit dhe natyrës vendin që i takon. E bukura do ta plotësonte atë zbrazëtinë e madhe të krijuar nga shkenca. Pas këtij momenti artistët nuk ishin më tregimtarë të historive të shenjta në shërbim të kishave, por ato rizbuluan historitë duke interpretuar vetë sekretet e natyrës. Peizazhet që dikur ishin thjesht sfonde të tablove me përmbajtje të shenjtë u kthyen në plan të parë, ku shpesh figura njerëzore humbiste në tërësinë e saj. Por për Shaftesbury-n, ne nuk kemi nevojën e pashmangshme të një vepre arti për të vlerësuar bukurinë e botës. Duhet vetëm ta shikojmë një imazh me kthjelltësi dhe pa emocion. Shaftesbury na thotë: “Mjaft i shpjeguat apo i shfrytëzuat gjërat, shikojini ato! Vetëm atëherë do ta kuptojmë kuptimin e tyre. Mesazhi i lules është lulja. Budistët kanë thënë gjëra të ngjashme. Vetëm duke mënjanuar punët dhe interesat tona, pa dyshim që do të takojmë të vetë të vërtetën e lules. Vetëm duke i parë gjërat në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të zbulojmë bukurinë e tyre.
Filozofi i madh i iluminizmit, Immanuel Kant, ka qenë thellësisht i ndikuar nga idetë e Shaftesbury-t. Kanti ka shpjeguar se ne mund ta përjetojmë të bukurën vetëm kur i lëmë mënjanë interesat tona; kur i shohim gjërat jo me qëllimin për t’i përdorur apo për të shpjeguar funksionimin e tyre, për të kënaqur nevojat apo uritë tona, por thjesht për t’i përthithur dhe pranuar për atë që janë. Mendoni sa gëzim ndieni kur mbani foshnjën e një miku në krahë. Ju nuk keni asnjë qëllim, nuk doni ta hani, as ta përdorni për ndonjë gjë, apo të bëni eksperimente shkencore me të, ju thjesht keni dëshirë ta kundroni dhe të ndjeni rrezen e madhe të dritës që buron prej saj kur vëmendja juaj është e përqendruar e gjitha te foshnja dhe jo te vetja juaj. Kjo është ajo që Kanti e ka përshkruar si “sjellja e painteresuar” dhe ky është qëndrimi në themel të përjetimit tonë ndaj së bukurës. Të shpjegosh një gjë të tillë është tejet e vështirë pasi nëse nuk e keni përjetuar kurrë diçka të tillë, ju nuk mund ta kuptoni se për çfarë bëhet fjalë. Por çdo njeri kur dëgjon muzikë, kur sheh një peizazh apo kur lexon një poemë, që të jep ndjesinë se përmban thelbin e asaj që është duke përshkruar, çdo njeri që ka përjetuar diçka të tillë, thotë: “Po, kjo mjafton!” Por përse është kaq e rëndësishme kjo përvojë? Takimi me të bukurën është kaq i menjëhershëm, kaq i gjallë dhe kaq personal saqë vështirë që t’i përkasë botës së rëndomtë. Megjithatë, e bukura buron edhe nga gjërat e thjeshta. A është kjo një veçori e botës apo pjellë e imagjinatës? Pjesën më të madhe të kohës jetët tona vërtiten rreth shqetësimeve të përditshmërisë sonë, por ka momente kur gjendemi jashtë kësaj sfere të nevojave dhe të interesave tona të përditshme, diçka që nuk i përket kësaj bote. Nga Platoni deri te Kanti, filozofët janë përpjekur të kapin mënyrën e çuditshme se si na përndjek e bukura si një rreze drite, apo kërkimi i dashurisë. Për Platonin një përjetim i tillë kishte të bënte me origjinën e saj trandshendente. Dashuria dhe e bukura na flasin si zëri i Zotit. Kanti, gjithashtu, edhe pse në një mënyrë më të kthjellët, besonte se përjetimi i së bukurës na lidh me ekzistencën mistike të qenies. Nëpërmjet së bukurës në gjendemi në praninë e së shenjtës. Mund ta kuptojmë rëndësinë e kësaj që kanë thënë filozofët duke menduar për atë që ndjejmë pranë vdekjes, veçanërisht kur humbasim dikë që duam. Ne e shikojmë me përçmim trupin nga e cili ka fluturuar jeta, hezitojmë të prekim trupin e të vdekurit, duke e parë atë si një gjë që nuk i përket botës sonë, thuajse një mysafir nga një sferë tjetër.
Përjetimi transhendent që ka frymëzuar Platonin është i njëjtë me përjetimin e dashurisë. Edhe kjo është pjesë e universit njerëzor dhe është një përjetim i llojit më të çuditshëm. Fytyra dhe trupi i të dashurve tanë përmbajnë jetën, por gjithashtu ato janë edhe si trupi i dikujt që ka vdekur, sikur ata nuk i përkasin botës së përditshme. Poetët kanë shpenzuar mijëra fjalë për të shpjeguar këtë përvojë e cila nuk kapet tërësisht nga asnjë fjalë. Por këto ndryshime në jetë, si nevoja për t’u bashkuar me një qenie tjetër apo humbja e një njeriu të shtrenjtë, janë momente të shenjta për ne. Nëse shikojmë historinë e ideve të së bukurës, gjejmë edhe arsyet përse filozofët dhe artistët kanë pasur nevojën të lidhin të bukurën me të shenjtën dhe ta shohin nevojën tonë për të bukurën si një gjë më të thellë në qenien tonë si njerëz si pjesë e botës sonë të mbushur me vuajte, dhimbje dhe rrezik. Ashtu si ish-besimtarët që e kanë humbur tanimë besimin e tyre dhe kanë nevojë të përqeshin idealet dikur të adhuruara, në të njëjtën mënyrë edhe artistët sot ndiejnë nevojën ta trajtojnë jetën njerëzore në mënyra poshtëruese dhe të tallen me gjurmimin e së bukurës. Një sjellje e tillë është edhe mohim i dashurisë. Një përpjekje për rikrijim të botës si një vend që nuk ka më vend për dashurinë. Për mua ky është tipari më i rëndësishëm i kulturës tonë postmoderne. Kjo është një kulturë që na thotë se njeriu nuk meriton dashuri, ai është i padëshiruar. Sigurisht që ky zhbirim drejt kësaj ane të njeriut nuk përbën asgjë të re. Që në fillim të qytetërimit kjo ka qenë një nga detyrat kryesore të artit, rrëmbimi i asaj që është më e dhimbshme në gjendjen njerëzore dhe kthimi i saj në një vepër arti.
Arti ka fuqinë që të gjejë të bukurën edhe në aspektet më negative të gjërave. Edhe në praninë e vdekjes fytyra njerëzore mund të jetë fisnike, të tregojë mëshirë. Arti është një mënyrë për të pranuar vdekjen. Arkitektura që nuk respekton të shkuarën, nuk respekton as të tashmen sepse ajo nuk respekton nevojat bazë të njeriut përkundrejt saj, që lidhen me ndërtimin e një banësë të qëndrueshme. Mjeshtrit e së shkuarës e kanë kuptuar nevojën shpirtërore të njeriut, ashtu siç kanë kuptuar edhe uritë tona më kafshërore. Për Platonin, e bukura ishte rruga drejt Zotit. Ndërsa mendimtarët e iluminizmit e kanë parë të bukurën dhe artin mënyrën sipas së cilës ne shpëtojmë vetveten nga rutinat e pakuptimta duke u ngritur kështu në një nivel më të lartë. Por arti ia ka kthyer krahët së bukurës. Ai është kthyer në skllav të kulturës së konsumit duke ushqyer kënaqësitë dhe veset tona dhe duke na zhytur në vetëneveri. Për mua ky është mësimi i formës më të shëmtuar të artit dhe arkitekturës moderne. Ato nuk tregojnë realitetin, por hakmerren ndaj tij duke na lënë pa atë vend që mund të kishte qenë shtëpia jonë, të pangushëlluar dhe të asgjësuar në një shkretëtirë shpirtërore. Qëllimi nuk ka të bëjë me pranimin e këtij asgjësimi, por me kërkimin e rrugës së shpëtimit për të dalë nga kjo shkretëtirë, në një vend kur e vërteta dhe ideali të ekzistojnë ende në harmoni. Në jetën time unë e kam gjetur këtë rrugë më lehtësisht nëpërmjet muzikës sesa nëpërmjet çdo lloj forme tjetër arti. Në këtë dokumentar e kam përshkruar të bukurën si një burim thelbësor. Nëpërmjet kërkimit të së bukurës ne i japim botës formën e shtëpisë. Duke bërë këtë, ne shumëfishojmë gëzimin dhe gjejmë ngushëllim për vuajtjet tona. Arti dhe muzika i japin kuptim jetës sonë të përditshme; nëpërmjet tyre ne jemi në gjendje të përballojmë shqetësimet tona dhe të gjejmë ngushëllim dhe paqe në praninë e tyre. Ky kapacitet i së bukurës për të zbutur vuajtjet tona është një nga arsyet përse e bukura mund të shikohet si një zëvendësuese e fesë. Përse t’i japim përparësi fesë? Përse të mos themi që feja është një zëvendësuese e së bukurës? Për të shkuar edhe më tej, përse t’i përshkruajmë të dyja si kundërshtare kur në fakt e bukura dhe e shenjta janë dy dyer drejt një hapësire të vetme dhe në atë hapësirë të vetme ne gjejmë shtëpinë tonë?
Kerko ne SIGAL
Të Fundit
- VIDEO/ Blini online çdo siguracion që ju duhet, si Fjoralba
- Festa të bukura, në një shtëpi të siguruar
- “Karton Jeshil + Asistencë Rrugore”/ Shëtit botën pa shqetësime me SIGAL
- Si të përgatiteni për festat e fundvitit: Këshilla praktike për një sezon magjik
- Sigurimi i Shëndetit në sezonin e festave, “Babagjyshi” për kostot e papritura mjekësore