Intervistë me Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria
Avni Ponari, drejtor i përgjithshëm i Sigal Uniqa Group Austria, thotë në një intervistë për revistën Monitor se tregu vazhdon të vuajë mentalitetin e trashëguar dhe të ushqyer keq nga koha e komunizmit por edhe sot nga qeveritë, që në rast dëmi, shteti paguan për të gjitha. Sipas tij, nëse nuk ndërtohet një kuadër ligjor me të cilin shteti t’i transferojë përgjegjësitë te qytetarët, atëherë tregu i sigurimeve do të vazhdojë të ngelet i pazhvilluar dhe i varur nga sigurimet motorrike, për pasojë edhe qytetarët do të vazhdojnë të mbeten të varur nga “thërrimet” e qeverive.
Ai mendon se këto sigurime nuk duhet të jenë të detyrueshme, por vetëm të sanksionohen qartë se qytetari duhet të mbajë mbi vete kostot për dëmet që mund të pësojë ose mund t’iu shkaktojë të tjerëve, me veprimet e veta.
Si do ta vlerësonit performancën e tregut të sigurimeve gjatë vitit 2020? Sa u ndjenë pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ato ishin më të prekshme?
Viti 2020 ishte një vit i vështirë, si për shumicën e bizneseve. Ky vit për ne evidentoi domosdoshmërinë për të ndërtuar produkte që i përgjigjen nevojave të reja të klientëve, por edhe nevojën për të ndërtuar kanale të reja komunikimi, dhe për të qenë pranë tyre sipas nevojës së tyre.
Ne mund të jemi ndër vendet më të varfra në botë, në kuptimin e primeve të sigurimit për frymë, me vetëm 35 euro, dhe kjo ka disa arsye. E shkuara komuniste ka ngulitur në shoqërinë tonë mentalitetin se shteti kujdeset për gjithçka dhe në rast nevoje qytetari duhet të kërkojë zgjidhje nga shteti. Ky mentalitet, fatkeqësisht ka vazhduar edhe në vitet e demokracisë dhe vazhdon edhe ditët e sotme, dhe kjo jo pa qëllim. Interesi i qeverive të çdo kohe është ta mbajë qytetarin të lidhur pas vetes, që qytetari t’ja ketë nevojën shtetit dhe të mos jetë i pavarur ekonomikisht, sepse vetëm ashtu mundet ta kontrollojnë dhe drejtojnë sipas interesave të kohës.
Në vendet e zhvilluara sigurimet janë një industri e fuqishme mbështetëse, mbështetëse e ekonomisë individuale të qytetarëve, por edhe mbështetëse e buxhetit të shtetit, ndërsa në Shqipëri dhe përgjithësisht në rajon kjo nuk ndodh. Veç mentalitetit të trashëguar, mendoj se adresimi i kësaj çështjeje kërkon ngritjen e një baze të përshtatshme ligjore.
Vendet e zhvilluara, si Franca, kanë mbi 50 ligje që mbrojnë interesat e drejtpërdrejta të konsumatorëve ndaj dëmeve dhe përgjegjësive që mund të ndodhin gjatë aktivitetit normal shoqëror dhe ekonomik.
Tek ne, këto përgjegjësi shkaktojnë një dëm ekonomik për qytetarët, sepse nuk një bazë ligjore që t’i mbrojë. Në këto kushte, tregu është i varfër, sepse nuk ka një bazë të tillë ligjore. Për shembull, në shumicën e vendeve ekziston detyrimi për përgjegjësinë ligjore të mjekut, në rast se ai i shkakton dëm pacientit me kurim të gabuar ose të pakujdesshëm. Një shembull tjetër mund të jetë siguria ligjore për titujt e pronësisë. Shembull tjetër janë sigurimet në ndërtesat e përbashkëta. Nëse sot dikush i shkakton dëm fqinjëve, për shkak të zjarrit, rrjedhjeve të ujit ose dëmtimeve të tjera, ai nuk përgjigjet për këtë dëm. Për këto çështje nevojitet një bazë ligjore që ta mbrojë qytetarin financiarisht.
Shqipëria është në zonën e kuqe të rrezikshmërisë së tërmeteve. Madje sipas një raporti të 2019-ës të dy shkencëtarëve amerikanë, vendi ynë vlerësohet me normën më të lartë të rrezikut në të gjithë Europën, me 10%.
Tërmetet e vitit të kaluar na tundën fort themelet, por fatkeqësisht nuk i vuri qytetarët përpara përgjegjësisë vetjake për të mbrojtur ata vetë pronën e tyre dhe jo të presin nga shteti.
Të gjendur përballë situatave të tilla, mendoj se ndërtimi i një ligji për të mbrojtur interesin ekonomik të qytetarëve nga fatkeqësitë natyrore është i domosdoshëm.
Le të bëhet një skemë kombëtare, që të mbulojë në sigurim të gjitha banesat dhe primi i sigurimit në nivel kombëtar do të ishte shumë i përballueshëm: 15 deri në 20 euro në vit.
Nëse nuk paguajnë të gjithë, sigurisht që primi i sigurimit del më i lartë. Por për ato familje që janë me ndihmë ekonomike dhe nuk e përballojnë dot, shteti mund të zgjedhë që ta financojë sigurimin për këtë shtresë të shoqërisë, dhe kështu nuk përjashtohet asnjë qytetar dhe nuk rritet as primi i sigurimit.
E njëjta gjë është edhe me sigurimin shëndetësor. Qytetarët paguajnë me lekë në dorë në spitalet private, gë që nuk është e zakonshme në vendet e tjera, ku shumica e qytetarëve paraqiten me një kartë sigurimi të shëndetit dhe marrin shërbimet që kanë nevojë. E njëjta gjë ndodh me pensionet, ku nuk po nxitet krijimi i një kolone të dytë të pensioneve vullnetare private.
Për të ndërtuar një ekonomi të mirëfilltë tregu, shteti duhet të transferojë këto përgjegjësi nga vetja tek qytetarët. Kjo do ta bënte shtetin më të fortë dhe do t’i jepte mundësinë të merrej me gjëra të tjera. Nga ana tjetër, qytetari që është i siguruar për pronën, për shëndetin, ka një pension dinjitoz privat dhe bëhet i pavarur financiarisht.
Kjo do të krijojë qytetarë më të lirë dhe më dinjitozë, sepse nuk do të kenë nevojë të lypin ndihmë nga shteti, por kanë të gjithë të drejtat të shkojnë te siguruesi dhe të kërkojnë dëmshpërblimin që iu takon sipas kontratës.
Ju mendoni se zhvillimi i tregut mund të bëhet duke përcaktuar sigurime të detyrueshme për pothuajse gjithçka?
Jo, unë jam kundër shtimit të sigurimeve të detyrueshme. Dhe këtu dua të evidentoj edhe perceptimin e gabuar që është krijuar për industrinë e sigurimeve, duke i konsideruar sigurimet si taksa. JO, sigurimet nuk janë taksa, por janë mbrojtje financiare për çdo qytetar, janë liri dhe dinjitet, ose e thënë në mënyrë popullore siç na pëlqen ne shqiptarëve: sigurimet të zgjidhin hallet!
Unë nuk jam për shtimin e sigurimeve të detyrueshme, por për evidentimin e qartë të bazës ligjore, në bazë të së cilës qytetari të zgjedhë të sigurohet ose të mos sigurohet dhe ku interesi i qytetarëve të jetë i mbrojtur. Pra, jo sigurim i detyrueshëm, por përgjegjësi e siguruar.
Nëse një individ zgjedh të mos sigurohet, ai do të jetë i detyruar të marrë vetë kostot e dëmeve që mund t’iu shkaktojë të tjerëve ose të dëmeve që mund të pësojë vetë dhe jo të themi, mos u siguroni sepse ua zgjidh shteti hallet!
Unë jam për këtë lloj fryme, që secili të mbajë përgjegjësi ligjore dhe financiare për dëmet, jo për t’i bërë domosodshmërisht sigurimet të detyrueshme.
Në momentin që secili mban përgjegjësi për dëmet financiare që i shkakton tjetrit ose vetes, atëherë ne kemi krijuar frymën e duhur dhe qytetarët do ta kuptojnë rëndësinë e sigurimeve si të domosdoshnme, dhe do ti zgjedhin vetë sigurimet që u nevojiten, ashtu siç ndodh në të gjithë Europën apo botën.
Për 10-mujorin 2020, tregu pësoi një rënie të primeve me rreth 5%. Mund të themi se kjo është një rënie jo shumë dramaitke, për rrethanat në të cilat u ndodh ekonomia?
Duhet të kuptojmë që këtu tregu i sigurimeve është një treg kryesisht motorrik. Një rënie 5% e tregut nënkupton rënie edhe në këtë segment. Pra, veç atyre shumë drejtuesë mjetesh që nuk sigurohen, dhe që në Shqipëri numërohen rreth 100 mijë automjete të pasiguruara, shtohen tanimë edhe të tjerë që nuk e paguajnë sigurimin. Kjo krijon një boshllëk të madh, sepse ne jemi treg i vogël dhe i varur shumë nga sigurimet motorrike. Në Botë sigurimet motorrike zënë vetëm 10%, tek ne zënë pothuajse 80%. Për këtë arsye, tek ne rënia ndjehet shumë.
Cilat do të jenë sfidat kryesore dhe faktorët që do të ndikojnë ecurinë e biznesit të sigurimeve gjatë vitit 2021?
Mendoj se viti 2021 do të jetë një vit i komplikuar. Pandemia po vazhdon, zgjedhjet e përgjitshme janë përpara. Në këto kushte, vëmendja për rëndësinë e sigurimit do të jetë edhe me e ulët. Ne këtë vit krijuam një produkt specifik për sigurimin nga Covid-19, jo me qëllimin e fitimit, por me qëllimin për t’ju gjendur pranë qytetarëve në këto kohë të vështira. Sepse produkti në vetvete nuk është me fitim për kompaninë, por për klientin.
Por, qytetarët nuk e blejnë ose e blejnë shumë pak. Kjo do të thotë se diçka nuk shkon. Propaganda qeveritare është shumë e fuqishme dhe e mbyt zërin e biznesit. Nëse qeveria thotë që dëmet e tërmetit i paguajmë ne, shpenzimet e kurimit nga Covid-19 i paguajmë ne, pavarësisht nga sa paguhen realisht, atëherë është e kuptueshme që njerëzit nuk do të sigurohen.
Nëse nuk do të ketë një program të qartë për zhvillimin e industrisë financiare jobankare, ne do të mbetemi larg atij tregu që mbron dhe krijon personalitetin e qytetarit.
Një nga arsyet pse qytetarët në vendet e zhvilluara kanë një personalitet të tillë është se ata janë të shkëputur nga këto varësi financiare prej shtetit dhe as që duan t’ja dinë se kush është ministër, kush është kryeministër apo president, sepse ata nuk trokasin në dyert e politikanëve për të zgjidhur problemet financiare që mund tu vijnë si pasojë e shëndetit, shtëpisë, makinës dhe biznesit, por trokasin në dyert e kompanive të sigurimit, të cilat u përgjigjen atyre në bazë të kontratave të sigurimit që kanë.
Vitin që kaloi Shoqata Shqiptare e Siguruesve u pranua në Shoqatën Europiane të Sigurimeve (Insurance Europe). Çfarë do të thotë kjo për industrinë shqiptare të sigurimeve?
Të jesh pjesë e Insurance Europe do të thotë të jesh prezent në tregjet e sigurimeve të 37 vendeve europiane, që janë anëtare të saj, dhe të marrësh ekspertizën më të mirë në fushën e sigurimeve nga më shumë se 950 mijë punonjës dhe drejtuesë sigurimesh të këtyre shteteve.
Pranimi i shoqatës sonë në familjen europiane të sigurimeve, do të zgjerojë perspektivat tona për zhvillimin e tregut të sigurimeve, sidomos në drejtimin e kuadrit rregullativ, në fushën e trajnimeve, të produkteve por edhe në rritjen e cilësisë dhe shërbimit të ofruar klientëve.
Ne së fundmi nënshkruam një memorandum bashkëpunimin me Shoqatën e Siguruesve të Austrisë, ku krahas pjesëmarrjes në trajnime, seminare e konferenca, ekspertizë profesionale dhe shkëmbim praktikash të dokumentacionit, memorandumi parashikon edhe marrëveshje partneriteti për të aplikuar për thirrje të hapura nga fondet e BE-së ose nga donatorë të tjerë.
Pra përfitimet janë të shumëllojshme, por një aspekt që mendoj është i rëndësishëm për tu theksuar, është se të qenurit pjesë e Insurnace Europe do të thotë edhe të nxisësh promovimin e industrisë shqiptare të sigurimeve atje, ç’ka mund të jetë një nxitje për investime të tjera europiane në Shqipëri.
Nga ana tjetër kjo mund të jetë një mundësi shumë e mirë edhe për promovimin e vendit tonë në Europë, ndikimet e së cilës do të ndjehen jo vetëm në industrinë e sigurimeve, por edhe në fusha të tjera si turizmi, ndërtimi, energjitika etj.
Unë personalisht kam qenë dhe jam shumë pro kësaj strategjie dhe kam realizuar takime të shumta me kryetarë bordesh e biznesmenë Europianë në Shqipëri, takime të cilat i kam shfrytëzuar edhe për të promovuar Shqipërinë, duke organizuar edhe ture turistike në çdo cep të Shqipërisë, nga veriu në jug.