Shqipëria vijon të ketë një numër të madh jetësh të humbura nga aksidentet rrugore.
Sipas asaj që raportoi pak ditë më parë Instituti i Statistikave (INSTAT) gjatë muajit korrik të këtij viti janë regjistruar 125 aksidente ku 165 persona kanë humbur jetën ose kanë mbetur të plagosur.
Sa i përket 7-mujorit, janar-korrik 2023, numri i aksidenteve të raportuara është 653 me plot 110 viktima dhe 777 të plagosur. Por të gjithë e dimë se në Shqipëri ndodhin shumë më tepër aksidente por jo të gjitha raportohen.
Por si duhet të veproni nëse përfshiheni në një aksident automobilistik?
Nëse përfshiheni në një aksident dhe sido që të jetë situata:
-Ruani qetësinë në çdo çast;
-Mos e lëvizni mjetin e aksidentuar;
-Bëni foto me targa të mjeteve në vendin e ngjarjes;
-Mos pranoni fajësinë, në rast se nuk jeni fajtor!
-Njoftoni dhe prisni ardhjen e Policisë Rrugore për ekspertizën e vendngjarjes;
-Njoftoni kompaninë tuaj të sigurimeve.
Nëse keni sigurimin TPL të automjetit dhe jeni përfshirë në një aksident, dokumentacioni për dëmshpërblim që duhet të dorëzoni pranë Departamentit të Trajtimit të Dëmeve Motorike në kompaninë tuaj të sigurimit është:
Kërkesa për dëmshpërblim
-Procesverbali i konstatimit të shkeljes nga Policia Rrugore për ngjarjen ose Vendimi i formës së prerë i gjykatës (Vendimi i Prokurorisë për ngjarjen), Akti i ekspertimit autoteknik kur në aksident rezultojnë dëme shëndetësore;
-Fotografi të mjetit/mjeteve të përfshira në aksident(e), në vendin e ngjarjes;
-Fotografi të mjeteve/objektit të përfshirë në aksident;
-Formulari i Vërtetimit Miqësor të Ngjarjes;
-Leja e qarkullimit të mjetit/dokument pronësie objekti;
-Policën e sigurimit të mjetit të dëmtuar;
-Dëshmi e aftësisë për drejtimin e mjetit;
-Certfikata e kontrollit teknik;
-Autorizim përdorimi (nëse nuk jeni pronar i mjetit);
-Autorizim përfaqësimi për të kryer procedurat;
-Deklarata e të dëmtuarit;
-Çdo dokument tjetër që kërkohet nga siguruesi.
Në rast dëmi motorik me vlerë deri në 30,000 Lekë
Për aksidentet rrugore nëse ka dëme ndaj pronës të cilat konsiderohen në vlerë deri 30,000 (tridhjetë mijë) lekë, ju mund ta zgjidhni ndërmjet palëve duke plotësuar Raportin Evropian të Aksidenteve, plotësimi i këtyre të dhënave konsiderohet kërkesë për dëmshpërblim dhe shoqërohet dhe me dokumentet si më poshtë:
-Fotografi në momentin e aksidentit para lëvizjes së mjeteve nga një distancë e afërt dhe e largët (dëmtimin e mjeteve, gjurmët e frenimit, mbeturinat e rëna në rrugë) dhe gjurmët e rëndësishme si pozicioni i mjeteve, i rrotave etj.)
-Fotografi të mjeteve të dëmtuara në mënyrë të qartë, pjesët e dëmtuara dhe targën e mjeteve;
-Dokumentet e identifikimit të palëve të përfshira në aksident (ID);
-Dokumentet e mjeteve dhe drejtuesve të tyre (leje qarkullimi, leje drejtimi, kopje e policave të sigurimit).
Kujdes!
Mungesa e fotografive kërkon ekspertizën e mjetit të dëmtuar nga ana e shoqërisë së sigurimit përgjegjëse.
Rekomandojmë që Raportin Evropian të Aksidentit ta mbani në automjetin tuaj.
Plotësoni me saktësi të dhënat e formularit dhe mbani parasysh që mashtrimi në sigurime është vepër penale.
Çfarë përmban formulari që duhet plotësuar në vendin e aksidentit:
Përdorni vetëm një Raport Evropian të ngjarjes për 2 mjete në secilin rast (2 për 3 mjete, etj). Pak rëndësi ka kush e jep vërtetimin miqësor dhe kush e plotëson atë.
Preferohet të përdorni një stilolaps për të shkruar dhe shkruani në mënyrë të tillë që kopja të jetë plotësisht e lexueshme.
Ky formular përdoret për trajtimin e një kërkese për dëmshpërblim vetëm pranë një shoqërie sigurimi.
Gjatë plotësimit të Raportit Evropian të Aksidentit për t’iu përgjigjur pyetjeve të rubrikave, mbani parasysh si më poshtë:
-në rubrikën 8 përdorni dokumentat tuaja të sigurimit (kontrata e sigurimit ose kartoni jeshil);
-në rubrikën 9 përdorni lejen tuaj të drejtimit (patenta e shoferit);
-në rubrikën 10 tregoni me saktësi pikën e goditjes fillestare;
-në rubrikën 12 vendosni një kryq (x) në kuti në drejtim të secilës prej rubrikave të rrethanave (nga nr. 1 deri në nr. 17) , që i përkasin aksidentit dhe tregoni gjithashtu numrin e shkaqeve të nënvizuar;
-në rubrikën 13 bëni një skicë të aksidentit, drejtimi i lëvizjes dhe pozicioni i mjeteve.
-Nënshkruani së bashku me drejtuesin e mjetit tjetër Raportin Evropian të Aksidentit.
Nuk duhet harruar se, pagesa e dëmit nga shoqëria e sigurimit sipas Raportit Evropian të Aksidentit, shuan detyrimin e shoqërisë për pretendime të tjera lidhur me vlerën e dëmit.
Depozitoni këtë dokument pa vonesë brenda 5 ditëve nga data e aksidentit, tek kompania e sigurimit përgjegjëse.
Mbi të gjitha, shmangni avokatët dhe sekserët e ndryshëm. Për çdo dëm drejtohuni direkt kompanisë së sigurimit ku jeni i siguruar.
Duke trumbetuar se ‘gjoja’ kompanitë e sigurimit nuk paguajnë dhe se ata, pra këta avokatë, i detyrojnë kompanitë që të paguajnë. Një prokurë e posaçme dhe e menjëhershme për shkak të gjendjes së vështirë ku mund të ndodhen klientët krijon një nyje lidhëse nëpërmjet së cilës mbërthehet viktima e rradhës.
Nëpërmjet prokurës bllokohet pasuria, shtëpia, biznesi apo çfarëdolloj aseti tjetër që familja mund të ketë dhe këtu fillon kalvari që mund të zgjasë nga 2 deri në 5 vjet.
Duke iu drejtuar palëve të treta, duke zgjedhur ndërmjetës nuk bëjnë gjë tjetër veçse humbasin gjysmat e parave që u takojnë. Ndoshta i humbasin edhe fare sepse raste kur avokatët ua kanë marrë të gjitha lekët dhe nuk u kanë dhënë asgjë. Dhe tani vazhdojnë ti ndjekin me gjyqe.
Drejtohuni te kompanitë e sigurimeve. Nëse ato nuk ju paguajnë brenda afatit të caktuar nga momenti që ju dorëzoni dokumentat, atëherë drejtohuni gjykatës. Por mënyra më e mirë është zgjidhja e problemit brenda kompanisë së sigurimit, të kërkoni vlerën që ju takon dhe të largoheni. Kjo është e drejtë e ligjshme që i takon secilit të dëmtuar në një aksident.