Coronavirusi është një fatkeqësi e madhe botërore, e paparashikuar dhe e paprogramuar gjëkundi, por në fund të fundit ne duhet të dalim edhe me disa konkluzione nga kjo betejë e hidhur, dhe me siguri këtë po bëjnë të gjitha shtetet.
Përtej gjithë kësaj, pjesa tjetër më e rëndësishme për të cilën duhet të flasim është ekonomia. Çfarë po nodh me sistemet ekonomike dhe kush po goditet më shumë nga kjo pandemi? A i kemi nxjerrë mësimet nga kjo pandemi që po vazhdon të gjunjëzonjë mbarë botën?
Siç thotë edhe historiani i njohur, Yuval Harari, “Ne nuk mund të parandalojmë shfaqjen e sëmundjeve të reja infektive, por sidoqoftë ne kemi fuqinë të frenojmë këtë lloj sëmundje epidemike dhe ta parandalojmë atë të vrasë miliona njerëz”. Kësaj unë do ti shtoja edhe që ne kemi mundësinë që të parandalojmë shkatërrimin e ekonomisë.
Kjo pandemi ekspozoi brishtësinë e ekonomive tona, duke paraqitur sfida madhore në zinxhirin e furnizimit dhe goditjen e bizneseve të tilla si bursa linjat ajrore, udhëtimet, luhatjet e tregjeve financiare, sektorin bankar dhe atë të sigurimeve dhe të të gjithë zinxhirit të shërbimeve në hoteleri-turizëm, bar-kafene dhe dyqane. Kështu, kjo pandemi nuk është thjesht një krizë mjekësore, por gjithashtu sociale dhe ekonomike.
Siç kuptohet kjo pandemi nuk njeh kufij, po rrëzon të vegjël e të mëdhenj, të sukesshëm apo më pak të suksesshëm, të bardhë apo me ngjyrë, e gjithë bota sot është e gjunjëzuar para saj. Në këtë situatë ku ndodhemi, pyetja që shtrohet është: kjo situatë e përbotshme apo edhe llojet e tjera të krizave dhe katastrofave që kemi kaluar apo që mund të vijnë në të ardhmen a kanë ndonjë mbrojtje?
Nevojat e mëdha kërkojnë zgjidhje të mëdha. Një vend i vogël është vështirë të mbrohet por lehtë të qeveriset. Mjafton të kesh dëshirën dhe të vendosësh njerëzit në punë.
Në botë ka me qindra kompanië që kanë të punësuar aq sa është e gjithë popullsia e punësuar në Shqipëri.
Atëherë një skanim i mundshëm i të gjithë sektorëve mbi nevojat reale dhe më pas një vlerësim real, dhe jo vetëm kaq, por duke klasifikuar rreziqet e mundshme dhe mbrojtjet nga ana tjetër është i domosdoshëm.
Sigurimet në rrugë institucionale, skemat e garantimit dhe mbrojtjeve financiare për individin dhe kompanitë lindën si nevojë e kohës. Falë kësaj garancie siguruese askush nuk do të dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme, sepse rreziku potencial është i mbuluar
Nga pikëpamja social-ekonomike pandemitë janë njëlloj si katastrofat natyrore vetëm se katastrofat janë lokale ndërsa pandemitë globale.
Në 500 vite, sipas dokumenteve shkencore, përllogaritet që bota të ketë kaluar 15 pandemi globale dhe mijëra katastrofa natyrore. Vetëm në Shqipëri, sipas raportit 2018, të FAO ( Food and Agriculture Organization, të Kombeve të Bashkuara) në Shqipëri në 150 vitet e fundit kanë ndodhur 4000 katastrofa natyrore. Vetëm në 20 vitet e fundit nga përmbytjet e mëdha është shpallur tri herë gjendja e “Katastrofës Natyrore”. Përveç humbjes së jetëve njerëzore, ajo ç’ka këto pandemi kanë vrarë më tepër ka qenë ekonomia.
Sipas disa vlerësimeve të studiuesve Melecky dhe Raddatz 2011, katastrofat natyrore kanë rritur shpenzimet e qeverisë me një mesatare prej 15 përqind dhe kanë ulur të ardhurat me rreth 10 përqind gjatë pesë viteve pas një katastrofe, duke çuar në një rritje të konsiderueshme të deficitit të përgjithshëm të buxhetit.
Tërmetet e vitit të kaluar vendosën në qendër të vëmendjes siguruesit, të cilët janë përmbytur nga kërkesat për kompensim dëmesh. Për të dy tërmetet janë dëmshpërblyer mbi 5000 qytetarë që kanë qenë të siguruar dhe të tjerë janë në proces. Tregu i sigurimeve ka paguar miliona euro, duke përmbushur detyrimet ndaj klientëve dhe duke treguar përgjegjshmëri për punën dhe misionin e tyre.
Po sa veta u dëmtuan nga tërmeti? Me mijëra. Sa përfituan? Shumë pak! Sepse duhet të ishim të gjithë të siguruar, për tu mbrojtur financiarisht dhe që të ketë vijimsi normale të jetës. Të bën përshtypje që ato dy tre ditë pas tërmetit pati ndonjë të siguruar, si duket nga frika e momentit, më pas toka u qetësua dhe njerëzit heshtën! Përsëri në dorë të Zotit!
Situata është pothuajse e njëjtë tani. Nuk kemi tërmet, por kemi pandemi. A ka sigurim ndaj pandemisë? Patjetër që ka. Sot çdo ngjarje që ndodh në tokë është e sigurueshme. Nëse këto biznese që sot janë mbyllur përkohësisht do ishin të siguruara atëherë gjithçka do ishte paguar. Pra, nëse një fason, hotel apo linjë ajrore do kishte marrë edhe këtë lloj sigurimi, përveç sigurimeve bazë, atëherë shoqëritë e sigurimit do bënin kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia.
Është shumë e domosdoshme që një kompani të sigurojë ndërmprerjen e biznesit, sepse sigurimi krijon mundësinë që ta vijosh biznesin njëlloj siç ka qenë më përpara. Sigurimi përfshin fitimin e munguar, pagat e punonjësve dhe këto janë të mirëpërcaktuara në kontratë, me një limit të përcaktuar në varësi të primit të paguar dhe rreziqeve të mbuluara, në bazë të kapaciteteve dhe fuqisë financiare të kompanisë e cila kërkon të sigurohet.
Por pyetja që natyrshëm lind është: Sa kompani në Shqipëri e kanë një sigurim të tillë? Në historinë time 30-vjeçare me sigurimet, vetëm një kompani e huaj në Shqipëri pati siguruar çdo gjë, jetën e punonjësve, shëndetin e tyre, asetet e kompanisë dhe sigurimin e ndërprerjes së biznesit. Pra në 30 vite sigurime, vetëm një kompani e ka patur këtë sigurim dhe kjo natyrisht që ishte kompani e huaj.
Ndërsa nëse i referohemi botës së zhvilluar, atje jo vetëm biznesi që ka absolutisht të siguruar çdo gjë, por edhe individët nuk mund të mendohet që të mos kenë të paktën 3 sigurime: jetën, shëndetin dhe pronën.
Në Singapor për shembull, gjatë periudhës së pandemisë që po kalojmë, sistemi i serverave nuk arrinte të mbante ngarkesën e madhe të aplikimeve nga kërkesat për sigurim jete, shëndeti etj.
Dua të sjell një shembull nga Austria sa i përket sigurimit të biznesit. Një prej fabrikave më të mëdha të prodhimit të birrës atje, e cila e kishte provuar para 102 vitesh një pandemi të tillë, atë të Gripit Spanjoll, i cili mori 50 milionë jetë njerëzish, e bënte sigurimin e ndërprerjes së biznesit çdo vit, duke përfshirë edhe vitin e kësaj pandemie që ndodhemi. Dhe sot, pavarësisht se është ndërprerë biznesi i saj për shkak të COVID 19, ajo ka të mbuluar nga kompania e sigurimit edhe pagat e punonjësve, edhe fitimin e munguar dhe çdo gjë që ka të bëjë me biznesin e saj.
E pra, gjithçka është e mundur, por për ne është pak e vështirë ta kuptojmë dhe besojmë, por ja që ekzistojnë edhe këto sigurime edhe këto mbulime, sepse kjo industri i ka edhe ekspertizat edhe kapacitetet financiare.
Fatkeqësisht, industria e sigurimeve në Shqipëri është shoqëruar gjatë gjithë këtyre 30 viteve të ekzistencës së saj nga një lloj “pandemie”, ku rritja për frymë e sigurimeve është vetëm 30 euro, pra me 1 euro në vit.
Në të gjithë këtë peisazh ndikon trashëgimia jonë e një mentaliteti komunist, ku mendohet që është shteti ai që duhet të na nxjerrë nga çdo fatkeqësi dhe nuk e shohim si përgjegjësi individuale. Ose e kuptojmë këtë si një mbështetje për industrinë e sigurimeve.
Por në fakt nuk është kështu. Sigurimet dhe zgjerimi i tyre janë një mbështetje për qytetarët dhe rritje e personalitetit të tyre. Në vende ku nuk ka industri sigurimi të zhvilluar dhe ku individi është tërësisht i varur nga shteti, detyrimisht mungojnë dhe liritë e individit, në themel edhe demokracia. Sepse pavarësia e individit dhe liritë e tij fillojnë nga financat dhe rriten ngadalë së bashku me to.
Ajo që bota ka mësuar ndër vite e shekuj, është se nuk mund tu shpëtosh dot pandemive dhe katastrofave natyrore. Ndaj, është e nevojshme që shteti të implementojë politika parandaluese si përgjigje ndaj katastrofave natyrore. Qeveria duhet të marrë në konsideratë përdorimin e metodave të hartuara nga ekspertë që kanë studiuar qasjet për parandalimin dhe përballimin e efekteve prej fatkeqësive natyrore, duke vendosur në rang kombëtar sigurimin ndaj katastrofave natyrore.
Si përfundim duhet thyrje e konceptit se këto gjëra i rregullon qeveria, dhe duhet kaluar në ekonominë reale të tregut, ku gjithkush është përgjegjës për çfarë ka krijuar. Pra duhen reforma të thella që njerëzit të dinë ku të drejtohen në rast fatkeqësish. Ne kemi fatin që nuk mund të eksperimentojmë, por mjafton të përshtasim legjislacionin me vendet e Komunitetit Europian, duke ulur rolin kujdestar të Qeverisë dhe duke rritur rolin e qytetarit, i cili është pjesë e ekonomisë së tregut.
Është e rëndësishme të themi se tregu i sigurimeve në Shqipëri është i risiguruar në kompanitë më të mëdha të risigurimit në botë, dhe hapësira që ne kemi për të siguruar katastrofa, pandemi apo çdolloj ngjarje tjetër shkon, jo në miliona, por në miliarda euro.