Lajme

Shenjtërimi i Nënë Terezës, ura lidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë

“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.”

Data 5 shtator shënon Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës ose ndryshe me Ditën e Shenjtërimit të saj. Kjo ditë e shënuar përkon me ditën e ndarjes nga jeta 26 vite më parë, më 5 shtator 1997

Nënë Tereza ose Shenjt Tereza e Kalkutës lindi në qytetin e Shkupit më 26 gusht 1910. Emri i saj i vërtetë është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu dhe është fëmija i vogël i Nikollë dhe Dranafile Bojaxhiu, familje shqiptare e vendosur në Maqedoninë e sotme të Veriut.

Që në vegjëli ajo ishte shumë e dhënë në jetën e misionarëve dhe shprehu dëshirën t’i përkushtohej fesë. Në moshën 18 vjeçare, Anjezë u bashkua me Motrat e Lorentos në Irlandë për të mësuar anglisht dhe më vonë për të vazhduar detyrën e saj si misionare.

Qëllimi i saj ishte India, ku edhe u shpërngul në vitin 1929 dhe dha mësim në shkollën “Shën Tereza” pranë manastirit ku qëndronte.

Shenjtorja në vitin 1979 ka fituar çmimin Nobel për Paqen. Ndërsa në vitin 1985 Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Regan i ka dhënë asaj “Medaljen e Lirisë’, shpërblimin më të lartë të shtetit amerikan.

Më pak se dy vjet pas ndarjes nga jeta, Vatikani lejoi të hapej çështja e kanonizimit.

Murgesha “u lumturua” në Tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Më pas Shenjtores ju njohën mrekullitë e bëra në shërimin e një gruaje nga kanceri dhe shërimi i një personi tjetër në Brazil, i prekur gjithashtu nga tumori, të cilat i hapën rrugë shenjtërimit të saj, më 5 Shtator 2016 nga Papa Francesku.

Nënë Tereza u bë një nga urat lidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë.

5 Shtatori është shpallur festë zyrtare nga Këshilli i Ministrave.