Blog

Sigurimet, tre gabimet që duhet të shmangni… Kurseni para

Shmangni këto gabime të zakonshme dhe kështu ju do të blini sigurimin më të mirë sipas nevojave dhe buxhetit tuaj

Të kursesh para të bën të ndjehesh mirë. Dhe procesi i blerjes së sigurimeve është një mënyrë e mirë për të kursyer para dhe jo vetëm për të shpenzuar. Megjithatë, thjesht reduktimi i mbulimit tuaj apo lënia mënjanë e mbulimeve të rëndësishme është si të bësh një dietë pa bërë edhe ushtrime fizike, të fokusuar vetëm tek numrat dhe jo tek rezultatet. Mos rrezikoni duke përfunduar me një nënsigurim dhe nga pesha e faturave të mëdha financiare në rast se do të ndodhte ndonjë fatkeqësi e papritur dhe e paparashikuar.

1.  Sigurimi i shtëpisë sipas kostos së ndërtimit dhe jo për vlerën reale të pasurisë  

Kur çmimet e pasurive të paluajtshme bien, disa pronarë mund të mendojnë që të reduktojnë mbulimin e sigurimit të shtëpisë së tyre. Por sigurimi është dizenjuar për të mbuluar koston e ndërtimit, jo çmimin e shitjes së shtëpisë. Ju duhet të siguroheni që të keni mbulim të mjaftueshëm me sigurim për të rindërtuar plotësisht shtëpinë tuaj apo për të zëvendësuar humbjet që mund të pësoni, pavarësisht se çfarë po ndodh aktualisht me tregun e pasurive të paluajtshme.

NJË MËNYRË MË E MIRË PËR TË KURSYER: Rrisni pjesën e zbritshme në policën e sigurimit. Duke vepruar kështu, ju mund të kurseni deri në 25 për qind të primit të sigurimit.

2. Zgjedhja e një kompanie sigurimi vetëm sipas çmimit

Është e rëndësishme që ju të zgjidhni një kompani me çmime dhe cilësi konkurruese. Por sigurohuni që siguruesi që ju do të zgjidhni të ketë qëndrueshmëri financiare dhe të ofrojë shërbimet më të mira ndaj klientëve.

NJË MËNYRË MË E MIRË PËR TË KURSYER: Kontrolloni gjendjen financiare të një kompanie duke lexuar raportimet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe pyesni miqtë dhe anëtaret e tjerë të familjes suaj rreth përvojave të tyre me siguruesit. Zgjidhni një kompani sigurimi që do t’i përgjigjet më mirë nevojave tuaja dhe që do t’i trajtojë dëmet me drejtësi dhe efektivitet.

3. Mos blerja e sigurimit nga përmbytjet

Dëmtimi nga përmbytjet nuk mbulohet nga policat standarde të sigurimit të shtëpisë. Edhe pse ju mund të mos jeni të informuar mbi risqet nga përmbytjet, mbani mend se 25 për qind e të gjitha humbjeve nga përmbytjet ndodhin në zonat ku risku është i ulët. Për më tepër, modelet vjetore të motit mund të shkaktojnë përmbytje.

NJË MËNYRË MË E MIRË PËR TË KURSYER: Përpara se të blini një shtëpi, informohuni nëse prona në fjalë ndodhet në një zonë të ekspozuar kundër përmbytjeve; nëse po, atëherë ju mund të dëshironi që të merrni në konsideratë një zonë me risk më të ulët. Nëse ju tashmë jeni duke jetuar në një zonë të ekspozuar ndaj përmbytjeve, shikoni se çfarë mund të bëni për të reduktuar risqet e dëmtimeve nga përmbytjet dhe konsideroni blerjen e një sigurimi nga përmbytjet.