SIGAL UNIQA Group AUSTRIA në Shqipëri, dhe dy kompanitë e saj në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, shprehin edhe një herë me trishtim të madh ngushëllimet e tyre më të thella për 51 jetët e humbura, qindra njerëz të plagosur, të zhvendosur dhe/ose të mbetur të pastrehë nga pasojat shkatërruese të shkaktuara nga tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës rihter të datës 26 nëntor dhe të mbi 1,000 pas-goditjeve e lëkundjeve që nuk kanë rreshtur edhe 6 ditë pas tërmetit të parë me epiqendër në qytetin e Durrësit.
Mendimet dhe lutjet tona më të sinqerta janë me të gjithë shqiptarët në këtë kohë të vështirë. Ne jemi besimplotë mbi forcën, guximin dhe aftësitë ripërtëritësëse të popullit shqiptar për të përballuar me dinjitet këtë katastrofë.
Për t’i qëndruar pranë dhe mbështetur të gjithë klientët e saj në përmbushje të të gjitha detyrimeve të saj kontraktuale, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA ka mobilizuar dhe zbritur në terren të gjithë inxhinierët dhe ekspertët e vlerësimit të dëmeve për kryerjen e analizave e vlerësimeve paraprake dhe fillimin e menjëhershëm të punës.
Në bazë të kushteve të përgjithshme dhe specifike të çdo police dhe kontrate sigurimi, SIGAL UNIQA garanton të gjithë të siguruarit se dëmshpërblimi i tyre do të kryhet në përputhje me kontratën e sigurimit dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. SIGAL UNIQA është duke ndjekur me vigjilencë dhe përparësi maksimale çdo rast individual të siguruar.