Lajme

Dixhitalizimi i tregut të sigurimeve, Ponari: Nevojiten disa lehtësi, të cilat ende nuk po shihen

Tregu i sigurimeve po vuan të ndryshojë në përmbajtje dhe strukturë. Primet për frymë vitin e kaluar mbeten ndër më të ulëtit në Europë.

Primet e shkruara bruto për frymë arritën në afërsisht 68 euro, nga rreth 55 euro që kishin qenë në vitin 2021, por pjesërisht kjo rritje erdhi si rezultat i kursit të këmbimit.

Tregu po dominohet gjithnjë e më shumë në produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik, që sjellin mbi 67% të primeve të shkruara bruto.

Me gjithë zhvillimet e pakta në përmbajtje, në vitet e fundit kompanitë po përpiqen të ndjekin një rrugë modernizimi në formë, nëpërmjet dixhitalizimit të kanaleve të shitjes dhe pjesërisht edhe vetë produkteve të sigurimit.

Disa prej kompanive ofrojnë mundësinë për të blerë policat e sigurimit online, por në përgjithësi, polica e sigurimit si dokument ende duhet printuar dhe dorëzuar fizikisht. Kjo vlen sidomos për produktin kryesor të tregut, sigurimin motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.

Dixhitalizimi i policave të sigurimit mund të sjellë avantazhe praktike dhe ekonomike, duke kursyer kohë dhe duke ulur kostot e shitjes së produktit nga kompanitë. Policat elektronike të raportuara dhe të verifikuara nëpërmjet një sistemi qendror, (që aktualisht funksionon, përtej detyrimit për zotërimin dhe verifikimin fizik të policës) do të ulnin edhe rreziqet e falsifikimit.

Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria, thotë se Shqipëria ngelet mbrapa në këtë drejtim edhe krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Sot ofrojmë për klientët tanë mundësinë që çdo siguracion që ata duan, të mund ta marrin në mënyrë elektronike, pa qenë nevoja të dalin nga shtëpia, të lënë punët e tyre dhe të paraqiten në një prej zyrave tona.

Jam shumë xheloz që vendet fqinje tashmë kanë gjithçka online, edhe shitjet, edhe dëmet dhe të dhënat për çdo kompani. Uroj që një ditë të ndodhin ndryshimet e duhura dhe tregu të dalë në dritën dixhitale.

Për të nxitur shitjet online, ne organizojmë çdo muaj një shorte për këta klientë, të cilët shpërblehen me shërbime dhe dhurata të ndryshme.

Interneti dhe zhvillimi i teknologjisë po e ndryshon mënyrën e blerjes në të gjithë botën, teksa shumë konsumatorë synojnë të shfrytëzojnë komoditetin dhe lehtësinë e blerjeve online.

Por, kjo nuk po ndodh në Shqipëri, si rrjedhojë e përdorimit të ulët të kartave të kreditit, informalitetit të lartë apo mungesës së legjislacionit që do ta lehtësonte kompaninë dhe qytetarin. Pa harruar problemet edhe me bankat në Shqipëri, ku disa prej tyre mbajnë komisione për blerje online.

Në momentin që do të dixhitalizosh një shoqëri, duhet të kesh disa lehtësi, të cilat ende nuk po shihen”,  thotë z. Ponari.

Sipas tij, nëse nuk ngrihen standarde, nëse nuk përmirësohet infrastruktura, atëherë cilësia e ofruar do të jetë e vogël dhe si pasojë, konsumatori nuk do ta zgjedhë këtë mënyrë të re të blerjeve të tyre.