Tregu shqiptar i sigurimeve është rritur në terma nominalë, por mbetet në stanjacion në terma realë dhe ruan penetrimin më të ulët në rajon. Këtë e theksoi gazetari i Monitor, Ersuin Shehu, në hapje të Sesionit të Tretë të Konferencës “E ardhmja e ekonomisë”, në kuadër të Top 200 Business Forum, organizuar nga Revista Monitor. Sesioni u zhvillua me temën “Ekonomia pa sigurim të mjaftueshëm”.
Të dhënat e 2025-s
“Tregu është rritur në terma nominalë, por mbetet në stanjacion në terma realë. Tregu ngelet më i vogli në rajon, në raport me ekonominë. Shpenzimi mesatar për prime ngelet ndër më të ulëtit në rajon. Tregu dominohet nga sigurimet motorike, ndërsa potencialet e produkteve të tjera mbeten të pashfrytëzuara”, tha Shehu, që moderoi panelin.
Pesha e sigurimeve në ekonominë vendase për vitin 2025 ishte 1.03%, norma më e ulët e penetrimit në rajon. Për krahasim, Kosova shënon 1.56%, Maqedonia e Veriut 1.75%, Serbia 1.8%, Mali i Zi 1.87% dhe Bosnja dhe Hercegovina 2.15%. Në dekadën e fundit, sektori ka lëvizur në intervalin 0.97–1.03% të ekonomisë, ndërsa rritja ka ndjekur thjesht zgjerimin e ekonomisë.
Shqipëria mbetet prapa edhe në primet për frymë, me 118 euro. Serbia paguan 244 euro, Mali i Zi 254 euro, Bosnja dhe Hercegovina 174 euro, Maqedonia e Veriut 161 euro, ndërsa vetëm Kosova qëndron nën Shqipërinë, me 108 euro.
SIGAL: tregu është gati për një skemë kombëtare
Në panel foli përfaqësuesi i SIGAL Insurance Group, Ogert Shkrepa, drejtor i produkteve të Pasurisë dhe Garancive dhe kryetar i komitetit të produkteve të reja në Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë. Pyetur për idenë e një skeme kombëtare sigurimesh dhe rolin e industrisë në të, ai u shpreh i bindur se tregu shqiptar ka aftësinë ta ndërtojë dhe ta menaxhojë një skemë të tillë.
Shkrepa tha se në takimet vjetore ndërkombëtare me gjigantët e risigurimit, përfshirë edhe atë të fundit në RSV Monako, industria gjen mbështetje të plotë e të përsëritur.
“Këtë mbështetje e kemi gjetur edhe për sektorin e bujqësisë, që në çdo vend është një nga shtyllat kryesore të qeverisjes. Risiguruesit na thanë njëzëri që janë gati të ofrojnë mbulime deri në miliarda euro. Kjo vlen edhe për katastrofat natyrore. Risiguruesit e besojnë tregun shqiptar. Ne kemi ofruar edhe mbulime deri në 1.5 miliardë euro për klientë të veçantë”, u shpreh ai.
Sipas Shkrepës, tregu shqiptar është gati të sigurojë çdo rrezik serioz.
Dy zhvillime pozitive
Ai veçoi dy zhvillime të rëndësishme. I pari është kultura siguruese që bizneset e mëdha të huaja sollën në vend, për sigurimin e aseteve, pronave, stafit dhe përgjegjësive. I dyti është se këtë kulturë duket se e kanë përqafuar edhe bizneset VIP vendase. Sipas tij, nga 860 biznese VIP, secili ka deleguar minimalisht një risk te industria siguruese, falë drejtorëve të riskut, financierëve dhe menaxherëve të aftë.
Produkte novatore
Shkrepa theksoi se janë bërë hapa të mëdhenj edhe te produktet novatore, çka tregon se tregu shqiptar ndjek trendin e zhvillimeve perëndimore. Ai veçoi sigurimet për sigurinë kibernetike dhe për veprimet e gabuara të stafeve menaxheriale, që sipas tij shënojnë një hap pjekurie dhe novacioni për tregun vendas.
“Na mbetet ne si industri t’i shpjegojmë më shumë dhe më mirë këto produkte të reja”, tha ai.
Në panel ishin të pranishme edhe Marsela Vaska, Klaidi Citozi, Dalina Gjicali dhe znj. Karapanço, nga industria e sigurimeve.


