Lajme

Sistemi Bonus-Malus: si ndikon historiku i dëmeve në primin e sigurimit

Sistemi Bonus-Malus është një mekanizëm që lidh nivelin e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik me historikun e dëmeve të të siguruarit, duke e bërë këtë të fundit një nga elementet më kryesorë në përcaktimin e primit të sigurimit.

Baza ligjore e këtij sistemi përcaktohet në Ligjin nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” dhe në Rregulloren 156/2024 të AMF.

Sipas nenit 8 të ligji,t sistemi Bonus-Malus është sistemi për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Ligji përcakton gjithashtu se Bonus-Malus është një nga faktorët e riskut që shoqëritë e sigurimit kanë të drejtë ta zbatojnë në tarifimin e sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i mjetit motorik.

Ligji parashikon gjithashtu se shoqëria e sigurimit duhet t’i vërë në dispozicion të siguruarit certifikatën e historikut të dëmeve, sipas formatit, metodës, afateve dhe përmbajtjes të përcaktuar nga rregullat e miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Sistemi Bonus-Malus nuk zbatohet për policën kufitare dhe Kartonin Jeshil, sipas përcaktimit të ligjit.

Historiku i dëmeve si faktor risku

Mënyra konkrete e përfshirjes së historikut të dëmeve në përllogaritjen e primit përcaktohet nga Rregullorja nr. 156/2024 “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Sipas kësaj rregulloreje, “Historiku i dëmeve” është një nga faktorët kryesorë të riskut që shoqëria e sigurimit merr në konsideratë në përllogaritjen e primit për kategorinë e autoveturave.

Në këtë historik përfshihen edhe rastet kur personi që ka shkaktuar aksidentin nuk është i shënuar në policën e sigurimit.

Për historikun e dëmeve, rregullorja përcakton tre klasa kryesore:

Historiku i dëmeve Koeficienti
Asnjë dëm i raportuar gjatë vitit 0.95 – 0.98
Një dëm i raportuar gjatë vitit deri në 1.25
Dy ose më shumë dëme të raportuara gjatë tre viteve të fundit deri në 1.50

 

Këto koeficientë tregojnë se historiku i dëmeve mund të ndikojë në nivelin e primit: një historik pa dëme mund të shoqërohet me një koeficient më të ulët se 1, ndërsa një historik me dëme mund të çojë në një koeficient më të lartë.

Kur shkaktari i aksidentit nuk është i njëjti me të siguruarin

Një element i rëndësishëm i Rregullores nr. 156/2024 është përcaktimi se, nëse shkaktari i aksidentit është i ndryshëm nga i siguruari në emër të të cilit është siguruar mjeti motorik, faktori i riskut “Historiku i dëmeve” zbatohet si për të siguruarin, ashtu edhe për shkaktarin e aksidentit.

Kjo do të thotë se historiku i dëmeve nuk lidhet vetëm me mjetin, por edhe me personat përkatës të identifikuar në procesin e sigurimit dhe të përdorimit të mjetit, sipas përcaktimeve të rregullores.

Si trajtohet sigurimi për herë të parë?

Rregullorja përcakton një trajtim të veçantë për fillimin e aplikimit të sistemit.

Për vitin e parë të zbatimit të rregullores, faktori i riskut “Historiku i dëmeve”, hD, është i barabartë me 1. Po kështu, për pronarët ose përdoruesit e mjeteve motorike që sigurohen për herë të parë, faktori “Historiku i dëmeve”, hD, është i barabartë me 1.

Pra, në mungesë të një historiku të mëparshëm që mund të përdoret për këtë faktor, aplikohet koeficienti bazë 1.

Çfarë do të thotë Bonus dhe çfarë do të thotë Malus?

Në praktikë, koncepti Bonus-Malus synon të lidhë primit e sigurimit me historikun e dëmeve.

Bonus lidhet me një historik më të mirë dëmesh dhe, në skemën e përcaktuar nga rregullorja, mund të reflektohet përmes një koeficienti më të ulët se 1. Për shembull, për asnjë dëm të raportuar gjatë vitit, rregullorja parashikon koeficient nga 0.95 deri në 0.98.

Malus lidhet me një historik me dëme dhe mund të reflektohet përmes një koeficienti më të lartë se 1. Për një dëm të raportuar gjatë vitit, koeficienti mund të jetë deri në 1.25, ndërsa për dy ose më shumë dëme të raportuara gjatë tre viteve të fundit mund të arrijë deri në 1.50.

Megjithatë nuk duhet harruar se primi i sigurimit nuk përcaktohet vetëm nga historiku i dëmeve, por historiku i dëmeve është një nga faktorët e riskut që merret në konsideratë në përllogaritjen e primit, sipas metodologjisë dhe faktorëve të përcaktuar në Rregulloren nr. 156/2024.