
Çmimi i sigurimit të detyrueshëm motorik nuk përcaktohet më vetëm mbi bazën e një tarife të njëjtë për të gjithë drejtuesit.
Thënë ndryshe: ndryshe nga sa mendohet, nuk është vetëm bonus-malusi, apo historiku i dëmeve.
Kuadri i ri rregullator i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare parashikon që primi të diferencohet duke marrë në konsideratë karakteristika të ndryshme të drejtuesit, automjetit dhe historikut të dëmeve.
Në këtë kuadër, fuqia motorike është një nga shtatë faktorët kryesorë të riskut që shoqëritë e sigurimit duhet të marrin në konsideratë në përllogaritjen e primit për autoveturat e sigurimit të detyrueshëm motorik, MTPL e brendshme.
Faktorët e tjerë janë historiku i dëmeve, mosha e të siguruarit, eksperienca në drejtimin e mjetit, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit dhe vjetërsia e mjetit.
Si ndikon fuqia motorike në prim?
Sipas Aneksit të Rregullores nr. 156, datë 19.09.2024, faktori i riskut “fuqia motorike”, i përcaktuar me simbolin gⱼ, ndahet në shtatë klasa sipas vëllimit të motorit, të shprehur në cm³.
| Klasa | Vëllimi i motorit | Koeficienti i faktorit të riskut |
|---|---|---|
| I | Deri në 1300 cm³ | deri në 0.92 |
| II | 1301–1600 cm³ | deri në 0.95 |
| III | 1601–1800 cm³ | 0.97–1.02 |
| IV | 1801–2000 cm³ | deri në 1.05 |
| V | 2001–2500 cm³ | deri në 1.10 |
| VI | 2501–3000 cm³ | deri në 1.15 |
| VII | Mbi 3000 cm³ | deri në 1.25 |
Kjo do të thotë se automjetet me motor me vëllim më të madh kanë një koeficient më të lartë në përllogaritjen e primit.
Për kategoritë me motor më të vogël, koeficientët e përcaktuar nga rregullorja mund të jenë më të ulët se 1, duke ndikuar në uljen e primit bazë.
Fuqia motorike nuk është faktori i vetëm
Rregullorja përcakton se primi i sigurimit përftohet duke kombinuar disa faktorë risku. Formula e përcaktuar në nenin 8 parashikon që primi i sigurimit bazuar në faktorët e riskut llogaritet duke shumëzuar primin e kategorisë me koeficientët përkatës të historikut të dëmeve, fuqisë motorike, moshës së të siguruarit, eksperiencës në drejtim, përdorimit të mjetit, qarkut të regjistrimit dhe vjetërsisë së automjetit.
Në mënyrë të thjeshtuar:
Primi = Primi i kategorisë × koeficientët e faktorëve të riskut (të shumëzuar me njeri tjetrin)
Prandaj, kubikazhi i motorit nuk duhet parë i shkëputur nga faktorët e tjerë. Dy automjete me të njëjtin vëllim motori mund të kenë prime të ndryshme nëse ndryshojnë, për shembull, historiku i dëmeve, mosha ose eksperienca e drejtuesit, vjetërsia e mjetit apo qarku i regjistrimit.
Fuqia motorike është vetëm një pjesë e formulës së re të tarifimit. Për një automjet të caktuar, çmimi përfundimtar i policës përcaktohet nga kombinimi i të gjithë faktorëve të aplikueshëm dhe tarifës së raportuar nga shoqëria e sigurimit.


