Fitorja e Shqipërisë ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e fundit të Nations League ka sjellë përfitime jo vetëm sportive, por edhe financiare për Federatën Shqiptare të Futbollit. Kuqezinjtë kanë siguruar të paktën 2.4 milionë euro nga UEFA gjatë këtij edicioni të kompeticionit.
Sipas skemës së shpërblimeve, çdo federatë pjesëmarrëse në Ligën C përfiton 1.2 milionë euro për shpenzime administrative. Një tjetër shumë prej 1.2 milionë eurosh u akordohet skuadrave që arrijnë ta mbyllin grupin në vendin e parë. Shqipëria i plotësoi të dyja kushtet, duke përfunduar në krye të Grupit C me 15 pikë.
Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran triumfoi 0-2 ndaj Bjellorusisë në Hungari, duke konfirmuar vendin e parë. Gjatë këtij edicioni, kuqezinjtë shënuan 12 gola dhe pësuan vetëm tre, duke siguruar edhe ngjitjen në Ligën B të Nations League.
Triumfi kishte rëndësi edhe për të ardhmen e Kombëtares në kualifikueset e Europianit 2028. Shqipëria siguroi pozicionimin në vazon e tretë përpara shortit, që do të hidhet më 6 dhjetor. Deri tani janë konfirmuar 48 nga 54 skuadrat pjesëmarrëse, ndërsa vazoja e parë është plotësuar me 12 ekipe. Kroacia do të jetë në vazon e parë, ndërsa Çekia në të dytën.
Kosova është ende në garë për vazon e dytë në kualifikuese. “Dardanët” duhet të konfirmojnë vendin e dytë në Grupin 3 të Ligës B. Këtë të martë ata i pret transferta me Irlandën, ku edhe barazimi do të mjaftonte për të mbrojtur pozitat në grup dhe të fitojnë një “biletë” në “play-off” për të ëndërruar ngjitjen në Ligën A.


