Drejtues të lartë të Grupit SIGAL, të kryesuar nga CEO i SIGAL Insurance Group, z. Avni Ponari, morën pjesë në Rendez-Vous de Septembre, një prej takimeve më të rëndësishme të industrisë globale të sigurimeve dhe risigurimeve në Botë.
Aty u zhvilluan kontakte me drejtuesit e kompanive më të mëdha të risigurimit dhe brokerimit në botë.
Nga 5 deri më 9 shtator 2026, Monte Karloja është kthyer në qendrën e tregut global të sigurimeve dhe risigurimeve, me zhvillimin e edicionit të 68-të të Rendez-Vous de Septembre (RVS).
Në këtë aktivitet ndërkombëtar morën pjesë rreth 3,700 profesionistë nga 90 vende, mes tyre drejtues të kompanive të sigurimit dhe risigurimit, brokerë, menaxherë rreziku, këshilltarë financiarë dhe profesionistë të tjerë të industrisë.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe CEO i Grupit SIGAL, Avni Ponari, dhe drejtues të lartë të SIGAL në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, z. Përparim Drini, drejtues i SIGAL Kosova, z. Driton Azizi, drejtues i SIGAL Maqedoni e Veriu, z. Ogert Shkrepa, drejtor i sigurimeve të pronës dhe përgjegjësisë dhe z. Bledar Zeqiri, drejtor i risigurimeve në SIGAL IG.
Grupi i përfaqësuesve të lartë të SIGAL zhvilluan takime me përfaqësues të tregjeve më të mëdha ndërkombëtare të risigurimit dhe brokerimit.
Mbi njëzetë takime me drejtuesit e risiguruesve botërorë
Gjatë takimeve në Monte Karlo, përfaqësuesit e SIGAL zhvilluan takime të drejtpërdrejta me 22 drejtues të kompanive ndërkombëtare të risigurimit, si dhe me brokerët më të mëdhenj globalë, përfshirë Aon dhe Marsh.
Një prej çështjeve kryesore të diskutuara ishte mundësia e krijimit të një skeme të gjerë mbulimi për katastrofat natyrore në Shqipëri, duke përdorur kapacitetet e tregut ndërkombëtar të risigurimit.
Sipas diskutimeve paraprake, është evidentuar një kapacitet potencial risigurimi prej rreth 1.5 miliardë eurosh për kompanitë lokale të sigurimit, për të cilën drejtuesit hynë në bisedime konkrete.
Ky kapacitet do të mundësonte krijimin e mbulimeve për një numër shumë të madh pronash dhe aktivitetesh ekonomike në Shqipëri, përfshirë banesat dhe bizneset, duke transferuar një pjesë të konsiderueshme të rrezikut të katastrofave natyrore në tregjet ndërkombëtare.
Në takime u shtruan edhe kontakte për CYBER Risk Insurance, hapa të mëtejshëm në drejtim të garancive për projektet e mëdha ndërtimore, si edhe për produkte të tjera që funksionojnë në tregjet botërore e që, SIGAL, falë bashkëpunimit prestigjioz me gjigantët botororë të risigurimit mund t’ia sjellë si novacion tregjeve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, produkte që krijojnë mundësi praktike për të gjithë klientët dhe që janë të arritshme prej tyre.
Shqipëria ka mundësi të sigurojë rrezikun katastrofik në tregun ndërkombëtar
Mesazhi që vjen nga takimet e Monte Karlos është se tregu ndërkombëtar i risigurimit ka kapacitet për të mbështetur një skemë të gjerë për Shqipërinë.
Në këtë kuadër, kompanitë shqiptare të sigurimit mund të përdorin kapacitetet e risiguruesve ndërkombëtarë për të ofruar produkte të dedikuara për tërmetet, përmbytjet dhe katastrofa të tjera natyrore, duke bërë të mundur që rreziku të mos përballohet vetëm nga bilancet e kompanive vendase.
Për SIGAL, ky diskutim përbën edhe një argument për një model ku sigurimi i katastrofave realizohet përmes tregut të sigurimeve dhe risigurimeve, me mbështetjen e kapaciteteve ndërkombëtare.
Edhe bujqësia mund të mbulohet
Një tjetër mundësi e diskutuar në takimet ndërkombëtare është sigurimi i agrokulturave.
Risiguruesit ndërkombëtarë kanë shprehur gatishmëri për të ofruar kapacitete edhe për këtë sektor, duke krijuar mundësi për mbulimin e fermerëve dhe aktiviteteve bujqësore ndaj rreziqeve të ndryshme, përfshirë dëmet e shkaktuara nga fenomene ekstreme natyrore.
Kjo do të mund të krijonte një mekanizëm më të qëndrueshëm për mbrojtjen e sektorit bujqësor, veçanërisht në kushtet e rritjes së ekspozimit ndaj rreziqeve klimatike.
Nga Monte Karlo te Shqipëria
Rendez-Vous de Septembre është një prej pikave më të rëndësishme të kalendarit global të sigurimeve. Eventi shërben si një nga forumet kryesore ku siguruesit, risiguruesit dhe brokerët diskutojnë kapacitetet, çmimet dhe kushtet e tregut për rinovimin e kontratave të risigurimit.
I themeluar në vitin 1957, aktiviteti është zhvilluar nga një takim me rreth 500 profesionistë në një prej forumet më të mëdha të industrisë, me rreth 3,700 pjesëmarrës nga 90 vende në edicionin e vitit 2026.
Pjesëmarrja e drejtuesve të Grupit SIGAL në këtë forum ndërkombëtar synon të sjellë në Shqipëri jo vetëm kontaktet dhe kapacitetet e tregut global, por edhe mundësi konkrete për forcimin e mbrojtjes financiare ndaj katastrofave. Risigurimi është një nga garancitë kryesore të stabilitetit dhe aftësisë paguese të një kompanie sigurimi, veçanërisht në një treg të ekspozuar ndaj katastrofave si Shqipëria. Përmes partneritetit me risiguruesit më të mëdhenj botërorë, SIGAL Insurance Group siguron kapacitete të larta mbulimi, përballon edhe dëme ekstreme dhe garanton më shumë siguri për klientët e saj. Vetëm gjatë vitit 2025, SIGAL IG ka pagoi mbi 15.1 milionë euro risiguruesve ndërkombëtarë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke investuar në kapacitetin financiar, ekspertizën dhe sigurinë që qëndrojnë pas çdo police sigurimi për të garantuar përmbushjen e detyrimeve ndaj klientëve edhe në situatat më të vështira.


