Një lajm i dhimbshëm ka tronditur këtë fillimjave diplomacinë europiane, Austrinë, komunitetin mbarëshqiptar por edhe kompaninë më të madhe të sigurimeve në Shqipëri e rajon SIGAL UNIQA Group Austria.
Ish-zëvendëskancelari i Austrisë dhe zv.Kryetar i Bordit Mbikqyrës dhe anëtar bordi i kompanisë më të madhe shqiptare të sigurimeve, SIGAL UNIQA Group Austria, që prej nëntorit të vitit 2010 e në vazhdim, Dr.Erhard Busek, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare një ditë më parë.
“Thellësisht të tronditur për ndarjen nga jeta të Dr.Erhard Busek, mendimtarit të vyer, politikanit dhe diplomatit, zërit të fuqishëm, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj një Ballkani dhe Europe të paqtë dhe të bashkuar dhe zv.Kryetarit të Bordit Mbikqyrës së kompanisë prej vitit 2010”, thuhet në një reagim të kompanisë SIGAL UNIQA Group Austria.
Gjatë prezantimit të z.Busek në këtë detyrë, CEO dhe themelues i SIGAL UNIQA Group Austria, Z. Avni Ponari, do e cilësonte prezencën e Busek në Shqipëri “si një rritje në vlerat që kompania synon t’i përcjellë konsumatorit”. Ndaj humbja e tij ka lënë një boshllëk të pazëvendësueshëm për kompaninë, e cila kishte fatin të mësonte nga eksperienca e z.Busek, çka do të vlejë dhe do të jetë një frymëzim për të ardhmen.
Z.Avni Ponari dhe Dr.Erhard Busek gjatë një darke pune
Ndërkohë, Dr. Erhard Busek ishte një mik i madh edhe i Kosovës dhe çështjes së saj. Vizitën e parë zyrtare në Kosovë, diplomati dhe politikani austriak do ta kryente në vitin 1987.
Kancelari austriak Karl Nechamer e përshkroi atë si “një austriak të madh dhe një evropian entuziast”, i cili vlerësohej nga shumë njerëz, pavarësisht nga përkatësia partiake.
Ndërsa Kryetari i Parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka e përshkroi z.Busek si “një politikan me qëndrim, vizionar dhe pionier”.
Jetëshkrimi i Dr. Erhard Busek
Busek lindi në Vjenë më 25 mars 1941, djali i një inxhinieri dhe mjeshtër ndërtimi.
Gjatë studimeve për drejtësi, ai u aktivizua në rininë katolike. Ai e filloi karrierën e tij politike në vitin 1964 në klubin ÖVP.
Ai filloi karrierën e tij politike në OVP në vitin 1964, dhe pesë vjet më vonë u bë Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm.
Nga viti 1991 deri në 1995, ai shërbeu si kreu i OVP-së dhe zëvendëskancelar në një qeveri të përbërë nga Partia Popullore dhe Partia Social Demokratike (SPO).
Ai ishte gjithashtu ministër i parë i Shkencës, dhe që nga viti 1994 ministër i Arsimit.
Nga viti 1996 ai ishte koordinator i Iniciativës për Bashkëpunim të Evropës Juglindore (SECI), dhe nga viti 2000 deri në 2002 ishte i dërguari i qeverisë austriake për zgjerimin e BE-së.
Nga viti 2002 deri në vitin 2008, ai ishte gjithashtu Koordinator Special i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.
Siç do të shprehej presidenti i EFA Andreas Treichl, “Evropa ishte bota e tij dhe askush tjetër nuk e kuptonte Evropën Qendrore si ai. E ndjeu si askush tjetër, jetoi në të dhe jetoi për të. Pa Erhard Busek, Forumi Evropian Alpbach nuk do të ishte ai që është sot”.
Nga viti 2004 deri në vitin 2011 ka qenë rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Salzburgut dhe nga viti 2008 deri në 2018 ka qenë kryetar i këshillit universitar të Universitetit të Mjekësisë të Vjenës.
Nga viti 2005 deri në vitin 2017 ishte kryetar i Forumit Ekonomik të Vjenës, i cili ishte President Nderi deri në momentin që ndërroi jetë.
Nga 2010 e deri në fund të jetës së tij Dr.Busek mbante postin e zv.Kryetarit të Bordit Mbikqyrës të SIGAL UNIQA Group Austria.
Busek ka marrë doktoratura të shumta nderi nga universitete në Gjermani dhe jashtë saj.
Në vitin 2021, Erhard Busek iu dha titulli profesor nderi i Universitetit të Rijekës, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në Universitetin e Rijekës, i matur me bashkëpunimin jashtëzakonisht aktiv dhe promovimin e tij të vazhdueshëm ndërkombëtar.
Dr. Busek ishte gjithashtu një anëtar i nderuar i Këshillit të Patronëve të Pallatit Moise, dhe në këtë cilësi, ai dha kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e partneriteteve ndërkombëtare që synojnë rritjen e cilësisë së kërkimit në Qendrën UNIRI për Studime të Avancuara të Evropës Juglindore.
Si avokat dhe politikan, ai u përfshi në botime të shumta si autor dhe redaktor.
Deri në fund të jetës së tij, Busek ka komentuar vazhdimisht zhvillimet në politikën e brendshme dhe evropiane në intervista dhe komente.
Dr.Busek në krah të CEO të UNIQA Insurance Group z.Andreas Brandstteter dhe CEO të SIGAL UNIQA Group Austria në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut z.Avni Ponari në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë…