Mbi 2 miliardë lekë u kanë paguar qytetarëve shqiptarë shoqëritë e sigurimeve në Shqipëri për 3-mujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare për periudhën janar-mars 2021, nga totali i dëmeve të paguara, pjesën më të madhe e ka paguar kompania SIGAL Uniqa Group Austria që është edhe kompania më e madhe në Shqipëri, me mbi 525 milionë lekë.
Sipas AMF, për 3-mujorin e parë të këtij viti, krahas tendencës në rritje të primeve bruto të sigurimeve, pozitive kanë qenë edhe pagesa e dëmeve pezull. Shoqëritë e sigurimeve të Jo-Jetës kanë paguar 6.6 miliardë lekë ose 14.2% më shumë se janar -mars 2020, duke i reduktuar kështu ndjeshëm dëmet pezull. Ka qenë sërish Sigal Uniqa Group Austria kontribuesja më e madhe në reduktimin e dëmeve pezull, duke paguar pjesën më të madhe të tyre.
Pas efektit të krizës nga pandemia e Covid 19, tregu i sigurimeve duket se po i rikthehet normalitetit, duke njohur një rritje të primeve bruto me 12.52% më shumë se 3-mujori i parë i vitit 2020, kohë kur tregu i sigurimeve ishte një nga më të goditurit për shkak të mbylljes totale të vendit si pasojë e Covid dhe pati rënie të ndjeshme të primeve.
Tregu dominohet nga sigurimet motorike me 61.75%, ndjekur nga sigurimet e pronës dhe të tjera me 24.42% dhe sigurimet e jetës dhe shëndetit me 13.83%.
Mungesa e kulturës qytetare për sigurimet dhe reformat në këtë industri bënë që konsumi për frymë të mbetet tek shifrat 35 euro, ndërsa vendet fqinje kanë kaluar 150 euro për frymë në vit, sakaq vendet e komunitetit europian konsumojnë mbi 3000 euro në vit për frymë.
Kompania Sigal Uniqa Group Austria, pjesë e një prej grupeve më të mëdha të sigurimeve në Europë, Uniqa Group, prezente në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, është e vetmja kompani që ka njohur rritje në pothuaj të gjitha klasat e sigurimeve, duke ruajtur pozitat e lidershipit në të tre shtetet, qoftë për volumin e primeve ashtu për produktet që ofron.