Klubi i Artit dhe Kultures, Lajme

“Këngët Çlirimtare” pushtojnë Muzeun Kombëtar/ Orkestra e Harqeve SIGAL UNIQA, koncert me rastin e 79-vjetorit të Çlirimit të Tiranës

Mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, pas 19 ditë e net luftë të ashpër e të pandërprerë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u çlirua.

Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të UNÇSH-së për çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Çlirimi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake. Ai kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ndërsa i shkak­toi humbje të mëdha e vonoi tërheqjen e forcave gjermane.

Për të kremtuar këtë datë të rëndësishme historike dhe për të kujtuar në 100-vjetorin e saj të lindjes  kompozitoren  Dhora Leka, u organizua në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar një koncert, organizuar nga Qendra Kulturore e Forcave të Armatosura.

‘Qershia mbi tortë’ e të gjithë eventit ishte Orkestra e Harqeve SIGAL UNIQA, e cila solli për publikun këngë të njohura partizane, një pjesë e mirë e së cilave janë kompozuar nga vetë Dhora Leka.

Orkestra e Harqeve “SIGAL UNIQA”, e themeluar në vitin 2013 si ide dhe iniciativë e Drejtorit të Përgjithshëm të SIGAL UNIQA Group Austria, z. Avni Ponari, vijon të jetë pranë artdashësve përmes koncerteve të saj.

Ajo është e përbërë nga 15 instrumentistë dhe drejtohet nga dirigjenti Ermir Dizdari (Mjeshtër i Madh).

SIGAL UNIQA beson fort se arti në përgjithësi dhe muzika në veçanti rikthen shpresën te njerëzit ndaj prej vitesh, përmes Orkestrës së saj të Harqeve, ka dhënë me dhjetëra koncerte në thuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë, Vlorë, Elbasan, Durrës, Pogradec, Butrint, Shkodër, Lezhë, Valbonë etj. Ndërsa nuk ka munguar as në aktivitete jashtë vendit.