Ngjarja e rëndë e pallatit të Farmacisë 10 aktivizoi shumë këndvështrime ekspertizash të ndryshme në debatin publik: ligjor, ndërtimor, pajisjesh elektrike, etj.
Njera nga perspektivat më të rëndësishme e që duhet ndjekur me vëmendje është edhe ajo e sigurimeve. Në rrjetet sociale, por edhe në media tradicionale, nga përhumbja sa edhe nga mosnjohja, shumë pasaktësi u thanë.
Sigurime.Online intervistoi z. Ogert Shkrepa, ekspert sigurimesh, drejtor i Sigurimeve të Pronës dhe Garancive në SIGAL Insurance Group dhe njëherësh kryetar i produkteve të reja të sigurimit pranë Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë.
Më poshtë ju sjellim intervistën e plotë:
Një mendim mbi ngjarjen e pallatit të Farmacisë 10?
Ngjarja e fundit ishte një alarm serioz për të gjithë qytetarët dhe bizneset në Shqipëri.
Kuptohet që një ngjarje, ndonëse e rrallë, mund ta çojë një familje apo një biznes drejt shkatërrimit.
Një biznes apo një familje që e ka ndërtuar me aq mund e djersë, për një kohë të gjatë. Shumë i rëndësishëm është sigurimi i pronës dhe sigurimi i saktë i saj.
Ndalemi pak te koncepti i sigurimit të saktë.
Kur themi i saktë, nënkupton që jo vetëm të sigurohet prona kur të detyron banka për kredinë, por të sigurohet për vlerën reale të saj. Të sigurohet jo vetëm si ndërtesë, por edhe pajisjet, në mënyrë që edhe dëmshpërblimi të merret i plotë.
Kompanitë e sigurimit, dhe kompania ku unë punoj, SIGAL, kanë ofruar një paketë për të gjithë familjarët dhe bizneset, ku çdo lloj zjarri aksidental mbulohet.
Mjafton që për ne të lidhet interesi i sigurueshëm, pra prona të ketë një certifikatë pronësie, të jetë e banueshme dhe zjarri të jetë aksidental. Të mos jetë zjarrvënie nga vetë i siguruari apo një zjarr keqdashës ndaj të siguruarit. Disa nga këto prona mund të jenë blerë me kredi dhe, në rast dëmi, do të dëmshpërblehen dhe do të kthehen në gjendjen e para dëmit.
Do të doja të theksoja se sigurimi nga zjarri nuk është thjesht një luks. Sigurimi nga zjarri dhe nga katastrofat natyrore, si tërmeti, është një domosdoshmëri e kohës.
Zgjidhjet kanë ndryshuar, klima ka ndryshuar. Sot gjithnjë e më tepër po ndodhin zjarre dhe rreziqe katastrofike, ndaj duhet të kuptoni se një zjarr mund t’ju shkatërrojë një jetë brenda pesë apo dhjetë minutash.
Nëse pronën e kam të pahipotekuar, a më merret në sigurim?
Kuptohet që një pronë e pa hipotekuar ende do të thotë që nuk është certifikuar ende nga bashkia. Pra, nuk ka marrë një certifikatë përdorimi apo operimi. Kjo do të thotë që ajo nuk është ende e gatshme për përdorim.
Zakonisht, ne kemi ofruar mbulim sigurimi kur prona ka marrë certifikatën e pronësisë, në kuptimin që prona ekziston dhe, nëse nesër dëmtohet, unë mund ta rikthej në gjendjen e para dëmit. Pra, mund të aplikoj për të marrë një leje ndërtimi për ta rikthyer në gjendjen e para dëmit.
Në momentin që nuk ka një certifikatë pronësie, unë nuk mund të aplikoj, në përputhje me klientin apo qytetarin, në bashki për marrjen e një lejeje ndërtimi për ta rindërtuar apo kthyer atë pronë në gjendjen e mëparshme.
Sigurisht ka raste kur e marrim, patjetër, por e mbulojmë në kushte kur ka pasur një kontratë porosie me ndërtuesin, i cili ka një leje ndërtimi të rregullt dhe është brenda afateve kohore. Në ato momente, kur prona ka kaluar fazën e karabinasë dhe është gati për marrjen e certifikatës së përdorimit, ka pasur raste që ne i kemi mbuluar në sigurim, sepse kemi vërtetuar që dokumentacioni ligjor i asaj prone është i plotë dhe shumë shpejt ajo pronë do të marrë certifikatën e pronësisë apo të përdorimit nga bashkia.
Dua të jem direkt me ju z. Shkrepa. Lexova në rrjete sociale një qëndrim të fortë të një personazhi viral dhe me ndikim në rrjetet sociale. “Nuk paguajnë siguracionet nëse dëmi vjen nga defekti elektrik”, shkruante.
Nëse zjarri është aksidental, edhe nëse vjen si pasojë e një lidhjeje të gabuar, për shembull kur prishet një siguresë apo matës, në rast se shkaktohet zjarr, kompania e sigurimit paguan.
Në Shqipëri, të gjitha kompanitë e sigurimit, në bazë edhe të miratimit të kushteve të bëra nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, çdo lloj dëmi aksidental, qoftë edhe ai që shkakton zjarr në pronë, paguhet nga kompania e sigurimit dhe më pas i drejtohesh fajtorit që ka shkaktuar dëmin.
Në këtë rast, fajtor mund të jetë edhe OSHEE, një lidhje e shkurtër, një neglizhencë e një punonjësi që ka kryer gabim lidhjen në atë lagje, apo një saldim i gabuar pranë ambientit. Por fillimisht, kompania e sigurimit të dëmshpërblen ty si biznes apo qytetar që ke policë sigurimi.
Qytetari, klienti, merr pagesën.
Absolutisht po.
Edhe në rast se shkaku vjen nga defekti elektrik. Dua ta qartësoj këtë.
Patjetër, mbulohet pasoja edhe nëse zjarri vjen si shkak i rrymës elektrike, sepse e kuptoj që nganjëherë janë të paqartë qytetarët.
Mjafton sigurimi i banesës për një jetë komunitare të shëndetshme?
Shumë e rëndësishme për çdo familjar është që jo vetëm të sigurojë pronën e tij, por edhe përgjegjësinë karshi fqinjit, sepse zjarri mund të lindë edhe në pronën tënde.
Asnjëherë nuk e di se çfarë dëmi mund të të shkaktojë fqinji. Thjesht e sheh në ashensor që ka dy bombola gazi dhe gatuan me gaz, etj. Janë regjistruar shumë dëme; mbi 50 raste në vit vetëm nga bombolat e gazit që kanë shkaktuar zjarr dhe që janë përhapur edhe në apartamente të tjera.
Në momentin që ndodh në pronën time dhe përhapet në apartamente të tjera, unë kam përgjegjësi karshi fqinjit tim. Ua sugjeroj të gjithëve që jo vetëm të sigurojnë pronën që kanë, por edhe përgjegjësinë e tyre ndaj fqinjëve.
Po mund të kushtojë disi. Sa kushton?
Ne ofrojmë si mbulim shtesë të mbulimit të zjarrit të pronës, gjithmonë në sigurim mbulojmë ndërtesën dhe pajisjet e subjektit, dhe ofrojmë edhe mbulimin e përgjegjësisë karshi fqinjit. Përgjegjësia ndaj fqinjëve kushton rreth 2000 lekë në vit; është një kosto shumë e vogël dhe mbulon minimalisht 2 milionë lekë të reja në vit, por mund të ofrohet edhe me limite më të larta përgjegjësie. Ne jemi të hapur të ofrojmë edhe mbulime me limite më të mëdha.
Zakonisht, nga praktika jonë, sepse kemi pasur gjithmonë parimin “value for money”, nëse nuk i jep vlerë për para klientit, atëherë nuk mund ta ofrosh atë produkt. Ne ofrojmë ato mbulime që janë vërtet të rëndësishme për qytetarët dhe për atë lloj biznesi.
Nëse ke një pronë në kat të katërt dhe kërkon të sigurosh përmbytjen nga dalja e lumit nga shtrati, ne mund të ofrojmë mbulimin për rrjedhjen e tubacioneve apo çarjen e tyre, por jo daljen e lumit nga shtrati në atë rast.
Ka shumë njerëz që nuk e dinë si e ka ndërtuar një ndërtues shtëpinë e tyre. Blejnë një pallat të ri dhe nuk e dinë si janë bërë instalimet elektrike apo hidraulike. Brenda një jave apo një muaji mund të dëmtojnë edhe komshiun, për shembull kur çahet një tub uji dhe dëmton parketin e tij. Ka plot raste të tilla në Shqipëri dhe ne kemi ofruar edhe këtë mbulim sepse duam të jemi pranë qytetarëve, të mbulojmë çdo rast dhe të fusim edukatën e sigurimeve, siç ndodh në gjithë botën.
Një apel për qytetarët që ende janë pa siguruar
Si apel për qytetarët, sigurimi i pronës është shumë i lirë. Thjesht rreth 1 euro për metër katror dhe secili prej jush mund ta llogarisë lehtësisht. Nëse keni një shtëpi 100 m², maksimumi do të shkojë rreth 100 euro në vit.
Me këtë kosto minimale sigurohen zjarri, tërmeti, rrjedhjet e instalimeve dhe përgjegjësia karshi fqinjit. Mund ta blini online ose të aplikoni online në faqen tonë www.sigal.com.al.
Sigurimi nuk është luks, është domosdoshmëri. Fillojeni që sot, në mënyrë që edhe kur të shtohen këto rreziqe katastrofike apo rreziqe të tjera, të keni gjithmonë mundësinë e mbulimit të duhur për ju dhe familjen tuaj.


