Kur një klient blen një sigurim, zakonisht i paguan kompanisë së sigurimit një shumë të përcaktuar, e njohur edhe si prim sigurimi (premium).
Në këmbim të mbrojtjes ndaj risqeve të përcaktuara në policë, kompania e sigurimit merr përsipër të kompensojë klientin për humbjet që mund të ndodhin.
Shumë njerëz blejnë sigurime dhe primet e tyre mblidhen në një fond të përbashkët.
Kur njëri prej këtyre personave pëson një humbje dhe vjen momenti për të paguar një dëm, kompania e sigurimit përdor fondet e krijuara nga këto prime për të kompensuar atë policëmbajtës.
Kështu funksionon industria siguruese.
Faktorët që e ndikojnë primin
Shuma e primit përcaktohet nga një sërë faktorësh. Primet për sigurimin e automjetit personal mund të përcaktohen në bazë të tarifave të sigurimit në zonën përkatëse, numrit dhe llojit të automjeteve të përfshira në policë, si dhe numrit të drejtuesve të siguruar dhe historikut të tyre të drejtimit.
Në këtë historik përfshihen edhe shpeshtësia dhe ashpërsia e aksidenteve të shkaktuara ose të përfshira nga drejtuesit.
Megjithëse disa elemente të primit janë të përcaktuara në bazë të faktorëve të riskut, klientët kanë liri zgjedhjeje për sa i përket mbulimeve të sigurimit.
Klienti vendos nivelin e mbulimit që dëshiron, duke filluar nga minimumi i detyrueshëm i përcaktuar nga shteti (në rastin e sigurimit të detyrueshëm), deri te niveli më i gjerë i mbrojtjes që ofrohet.
Gjithashtu, lloji i franshizës (deductible) së zgjedhur ndikon në shumën që klienti paguan për sigurimin. Nëse klienti zgjedh një franshizë më të lartë, primi i sigurimit do të jetë më i ulët.
Për më tepër, klientët mund të zgjedhin nivele të ndryshme mbulimi për secilin automjet. Për shembull, mund të zgjedhin limite më të larta mbulimi për automjetin kryesor të familjes dhe limite më të ulëta për një automjet që përdoret shumë më rrallë në rastin e sigurimeve vullnetare.
Një shembull tjetër është sigurimi i banesës (homeowners insurance). Në teori, sipas praktikës botërore, primet e këtij lloji sigurimi ndikohen nga vendndodhja e banesës, kostoja e zëvendësimit, mosha dhe gjendja e banesës, historiku i dëmeve dhe niveli i franshizës.
Banesat që ndodhen në zona të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore ose në zona me nivele të larta kriminaliteti kanë prime më të larta. Banesat më të mëdha dhe më të kushtueshme kanë gjithashtu prime më të larta, ndërsa banesat më të vogla përgjithësisht kanë prime më të ulëta.
Banesat e vjetra dhe në gjendje të keqe paraqesin risqe më të larta dhe, për rrjedhojë, kanë prime më të larta për shkak të mundësisë së rrjedhjeve në sistemin hidraulik ose defekteve elektrike.
Përmirësimi i sistemeve elektrike dhe hidraulike, si dhe instalimi i masave të sigurisë, alarmeve kundër zjarrit dhe sistemeve automatike të fikjes së zjarrit (sprinkler), mund të kontribuojnë në uljen e primit të sigurimit.
Një shembull i fundit është sigurimi i bizneseve.
Primet për sigurimin e një biznesi ndikohen nga lloji i aktivitetit ekonomik, niveli i riskut, madhësia dhe të ardhurat e biznesit, historiku i dëmeve dhe masat e sigurisë.
Në industrinë e ndërtimit, për shembull, mundësia më e lartë e aksidenteve ose e dëmtimit të pronës sjell prime më të larta.
Kompanitë e mëdha të ndërtimit, të cilat kanë të ardhura dhe një fushë veprimtarie më të gjerë, kanë nevojë për mbulime më të plota dhe, për rrjedhojë, paguajnë prime më të larta.
Primet mund të ulen nëse biznesi ka një numër më të vogël dëmesh dhe zbaton masa sigurie, të tilla si protokolle sigurie, programe trajnimi dhe inspektime të rregullta.
Bizneset përballen me risqe të ndryshme dhe, për të përcaktuar primin e përshtatshëm, kërkohet një analizë e plotë dhe vlerësim i riskut.
Siç kemi parë, primet e sigurimit ndikohen nga një sërë faktorësh, përfshirë mbulimet e përshtatura sipas nevojave të klientit dhe franshizat e zgjedhura.
Në këtë proces, agjentët e sigurimit luajnë një rol thelbësor, duke i ndihmuar klientët të identifikojnë dhe të zgjedhin mbulimet dhe franshizat që janë më të përshtatshme për nevojat e tyre specifike.
Kur një klient blen një sigurim, ai zakonisht i paguan kompanisë së sigurimit një shumë të përcaktuar, e njohur si prim sigurimi. Në këmbim të mbrojtjes ndaj risqeve të përcaktuara në policë, kompania e sigurimit merr përsipër të kompensojë klientin për humbjet që mund të ndodhin.


