Lajme

Analiza e 3-mujorit të parë të vitit 2023 për SIGAL UNIQA Group Austria – Shqipëri

Ditën e djeshme, datë 26 Prill 2023, në ambjentet e “Tirana Marriot Hotel”, SIGAL UNIQA Group Austria – Shqipëri organizoi analizën për 3-mujorin e parë të këtij viti.

Pjesëmarrës në takim, përveç Drejtorëve të Përgjithshëm të SIGAL UNIQA Non-Life dhe Life, z. Avni Ponari dhe z. Edvin Hoxhaj, ishin drejtuesit e Departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme, drejtuesit e degëve të kompanisë në rrethe dhe menaxherët e produkteve.

Gjatë fjalës së tij, CEO i Grupit, z. Avni Ponari kërkoi ndër të tjera vëmendje për përforcimin e rolit të menaxherit të produktit dhe strukturës në degë në mënyrë që çdo punonjës të dijë rolin dhe detyrat e tij.
Çdo menaxher produkti duhet të fokusohet te produkti që menaxhon duke qenë edhe përgjegjës individualisht për ecurinë e tij.

Sipas z. Ponari, rezultatet e 3-mujorit të parë 2023 janë më të larta se ato të një viti më parë por ekzistojnë mundësitë që të rritemi akoma më shumë.

CEO i Grupit shtoi më tej se, për ruajtjen e pozicionit në treg duhet të ketë jo vetëm përgjegjësi kolektive, por edhe inviduale.
“Jemi në pozita dominuese në treg. Jeta dhe Jo-Jeta së bashku zotërojnë mbi 30% të tregut ndërsa 70% ndahet mes 7 kompanive të tjera. Në Shqipëri shpenzohet rreth 65 euro për frymë për sigurime, ndërkohë që vendet e rajonit dhe BE janë shumë më lart çka tregon se mundësitë për tu rritur ekzistojnë.
Potencialet dhe mundësitë janë shumë të mëdha. Gjithçka varet nga puna që ne bëjmë pasi hapësirat janë të konsiderueshme”, u shpreh ndër të tjera z. Ponari.

Ai kërkoi nga degët në rrethe edhe ndërtimin e një strategjie pune ku fokusi të jetë tek klientët potencialë që mund të afrohen në kompani.

Më tej, z. Ponari shtoi më tej se marrëdhënia me klientët duhet të jetë në fokusin e parë të çdo punonjësi. Ndërsa, duke sjellë edhe shembullin e hotelit ku u zhvillua takimi, çdo aktivitet i kompanisë duhet të zhvillohet në ato ambjente me të cilat SIGAL UNIQA ka marrëdhënie biznesi.

Në fund të fjalës së tij, z. Ponari kërkoi që çdo produkt që ka kompania duhet ta kenë edhe vetë punonjësit në mënyrë që ta kenë më të lehtë shpjegimin tek klientët. Ndërsa nuk harroi të ndalej edhe te pagesa e dëmeve.
“Kemi në dorë produkte interesante, që nuk i kanë të tjerët. Por nëse nuk e njohim vetë produktin, si do t’ja shpjegojmë klientit?”

“Duhet të jemi koshient në pagesën e dëmeve sa më shpejt që klienti të mos thotë ‘këta nuk paguajnë’. Ne kemi tentuar të distancohemi nga të tjerët por duhet të dimë se sa më shpejt ta paguajmë një dëm aq më ballëlartë dalim para klientit”, tha z. Ponari.

Z. Ponari paralajmëroi se, për shkak të rezultateve të dobëta në disa degë, mund të kërkohet ndalimi i shitjes së disa produkteve.

Pas Drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë, fjalën e morën drejtuesit e departamenteve dhe menaxherët e produkteve, të cilët përveç rezultateve të arritura në këtë 3-mujor, prekën edhe problematikat me të cilat ata përballen çdo ditë.

Ndërsa analiza u mbyll me fjalën e Administratorit të Përgjithshëm të SIGAL UNIQA Fond Pensioni, z. Elvis Ponari, i cili pensionin privat vullnetar e quajti një shërbim që ofron kompania dhe jo një produkt.

Teksa listoi rezultatet e Fondit në këtë 3-mujor, ai kërkoi nga të pranishmit në takim që, bashkë me një produkt Sigurimi çdo punonjës duhet të bëjë të mundur që klientit ti hapet edhe një llogari pensioni.

Në konkluzion, u ra dakord që shërbimi profesional ndaj klientit, ofrimi i produkteve më të mira dhe shitja e kombinuar e tyre, pagesa në kohë e dëmeve janë pikat kryesore mbi të cilat do të vijojë punën SIGAL UNIQA Group Austria.

Mirë u takofshim në organizime të tjera

SIGAL UNIQA Group Austria, jetojmë më mirë së bashku