Studime të shumta kanë zbuluar se toka goditet mesatarisht nga rreth 20 milion shkarkesa elektrike në një vit. Dy ditët e fundit edhe Shqipëria është prekur nga moti i paqëndrueshëm i shoqëruar me rrufe të herëpasherëshme.
Shumë herë këto goditje mund të bien mbi apo pranë banesave, duke shkaktuar anomali në sistemin elektrik apo pajisjet elektrike të shtëpisë.
Por duke ndjekur këto udhëzime, ju mund të ndihmoni në mbrojtjen e pronës tuaj dhe vetes nga një dëmtim i mundur.
Mënyra se si mund t’ju godasë rrufeja
Nuk është e nevojshme që ju të goditeni drejtpërdrejt nga një rrufe për të pësuar dëmtime. Disa mënyra të tjera si mund të prekeni nga shkarkesa elektrike:
-Rrufeja kërcen nga objektivi kryesor në skemë anësore, duke ju prekur papritur.
-Rrufeja godet një objekt dhe më pas shkarkohet në tokë, duke pasur kontakt me një individ.
-Shkarkesa elektrike mund t’ju prekë edhe nëse ju keni kontakt me një sipërfaqe metalike mbi të cilën ka kaluar rrufeja.
Këshilla për sigurinë nga rrufetë
Nëse në zonën ku banoni, rrufetë janë të zakonshme njihuni me mënyrat se si mund të zvogëloni rrezikun para dhe gjatë një stuhie me rrufe.
-Evitoni daljet nga banesa kur shikoni stuhinë që po afrohet.
-Shmangni prekjen e pajisjeve elektronike ose çdo gjë tjetër me kordon.
-Qëndroni larg burimeve të ujit, duke përfshirë edhe tubacionet, lavamanët apo dushet.
-Mos qëndroni i mbështetur në strukturat e betonit, sepse shufrat metalike brenda tij janë shkarkuese të mira të elektricitetit.
-Nëse jeni jashtë, strehohuni brenda një makine që e ka strukturën e fortë.
-Nëse po lundroni me varkë kur ka rrufe, dilni dhe shkoni në tokë të thatë.
-Mos prekni sipërfaqe metalike.
-Shmangni prekjen e çdo gjëje që është e lidhur me gazin.
-Nëse jeni jashtë dhe strehimi nuk është i mundur, përkuluni të paktën 100 metra larg objekteve të larta, apo futni kokën brenda dhe mbuloni veshët.
-Nëse dikush goditet nga rrufeja, lajmëroni menjëherë shërbimin e emergjencës ose nëse jeni të specializuar jepni ndihmën e parë.