Koncerti madheshtor mbeshtetet nga SIGAL UNIQA
“Vienna salutes to Tirana” është koncerti që do të zhvillohet me zërat e mrekullueshëm të artistëve shqiptarë dhe asutriakë, me rastin e 105-Vjetorit të Shtetit Shqiptar.
Me mbështetjen e patjetërsueshme të SIGAL UNIQA Group Austria, sopranoja me famë botërore Inva Mula, balerini i shkëlyer Eno Peçi, violinisti Olen Çezari, baritoni Gëzim Myshketa dhe pianisti Genc Tukiçi janë disa nga artistët shqiptarë me famë botërore që do të ngjiten në skenën e “Konzerthaus Wien”, në sallën Mozart, sonte në orën 19:30, për të përcjellë emocione të jashtëzakonshme për të gjithë të pranishmit.
Ajka e artistëve shqiptarë, të shoqëruar nga Volkhard Steude, Kuarteti i Filarmonisë Vjeneze dhe Maria Yakovleva, primabalerina e Operës Shtetërore të Vjenës, do të performojnë pjesë nga autorët më të mirë të muzikës botërore dhe shqiptare.
Ky koncert bëhet i mundur nga kompania shqiptaro-austriake SIGAL UNIQA Group AUSTRIA dhe mbahet në kuadër të përvjetorit të 105-të të themelimit të Shtetit Shqiptar.
Rreth 9 vjet më parë, sopranoja me famë botërore Inva Mula, solli emocione të jashtëzakonshme në Mbrëmjen Gala të 10-Vjetorit të SIGAL UNIQA në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe vetëm tre vjet më parë, në 2014, sërish SIGAL UNIQA ngjiti në skenë balerinin e rrallë shqiptar Eno Peçi për të performuar për publikun vendas.
Promovimi i artit, kulturës, sportit, artistëve dhe sportistëve shqiptarë dhe promovimi i Shqipërisë në arenat ndërkombëtare është një mision i kompanisë më të madhe të sigurimeve në Shqipëri, SIGAL UNIQA, e cila përveç të të bërit biznes në industrinë e sigurimeve, ka kontribuar vazhdimisht që prej themelimit të saj më 1999 në promovimin dhe zhvillimin e vlerave të Shqipërisë dhe Shqiptarëve.