dërgo këtë faqe | printo këtë faqe

Përgjegjësia sociale

Si kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri, kemi synuar që krahas punës se përditshme të kontribuojmë vazhdimisht për aktivitetet kulturore, artistike, sportive dhe sociale në Shqipëri.

 

Arti dhe Kultura

Që nga viti i themelimit, Klubi i Artit dhe Kulturës është shndërruar në vatrën e artistëve dhe dashamirësve të kulturës. Vetëm gjatë vitit 2014 janë zhvilluar mbi 50 aktivitete të ndryshme, përfshirë koncerte recitale, aktivitete për të rinj, promovime librash, evente muzikore, ekspozita me piktura dhe fotografi etj. Në këtë mënyrë Klubi i Artit dhe Kulturës e ka përmbushur mjaft mirë qëllimin e themelimit të tij dhe ka kontribuar në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare. Kemi synuar që të mbështesim artistët në punën e tyre e mbi të gjitha të edukojmë publikun që ta duan dhe promovojnë artin shqiptar, si një pasuri kombëtare e padyshim si një panoramë e shkëlqyer e vendit tonë. Në kuadër të mbështetjes së artit, me kënaqësi ishim prezentë si mbështetës të Natës Vjeneze-mbrëmjes artistike me solistin e Teatrit Vjenez të Operas dhe Baletit Eno Peçi. Festivali “Different Trains” është një tjetër event artistik i mbështetur prej nesh prej disa vitesh. Artistë shqiptarë dhe të huaj, për disa netë më radhë luajtën përpara publikut shqiptar pjesë muzikore të artistëve me famë botërore. Mikpritja që u bëri publiku shqiptar dhe duartrokitjet që u dhanë artistëve na bënë të ndjehemi krenarë që i kemi mbështetur dhe padyshim do të vazhdojmë të jemi përkrah tyre edhe në vitet e ardhshme. “Festivali i Librit dhe i Artit”, “Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik Marije Kraja”, “Gran Gala Operistike me Yjet e Operas Shqiptare”, “Kënga Magjike 2014”, “Çmimet Kult 2014”, “Ekspozita Fotografike - Eksplorimi I një Peisazhi”, janë të tjera evente që SIGAL UNIQA Group AUSTRIA ka mbështetur përgjatë vitit 2014.

 

Arsimi

Me bindjen se investimi tek arsimimi dhe edukimi i brezit të ri është garancia më e mirë për të ardhmen, mbështesim vazhdimisht institucione të ndryshme arsimore, si përmes bursave të studimit (Shkolla Austriake në Shkodër, mjete mësimore në shkollën 9-vjeçare në Vermosh) ashtu dhe nëpërmjet praktikave mësimore të realizuara pranë SIGAL UNIQA dhe mbështetjen e saj, për studentë të universitete të ndryshme në vend.

 

Sporti

Që prej fillimit të aktivitetit i kemi kushtuar vëmendje aktiviteteve sportive si basketbollit, futbollit, alpinizmit etj. Jemi mbështetës zyrtarë të Federatës Shqiptare të Basketbollit, përmes së cilës kemi iniciuar projekte dhe aktivitete për përfshirjen e të rinjve në sport. Jemi krenarë që skuadra kampione e basketbollit kosovar mban emrin tonë: “SIGAL Prishtina”. Klubi I Basketbollit Vllaznia gjithashtu ka pasur mbështetjen financiare të SIGAL UNIQA. Për të disatin vit radhazi mbështesim aktivitetin sportiv “Streetball Albania”, së bashku me Federatën Shqiptare të Basketbollit dhe bashkitë e qyteteve, ku me dhjetëra të rinj iu bashkuan iniciativës për të dalë në rrugët e qytetit të tyre për të luajtur basketball.

 

Sociale

Kemi treguar që jemi humanë dhe që i kushtojmë vëmendje projekteve sociale në të mirë të komunitetit. Përgjatë vitit 2014 kemi mbështetur një sërë aktivitetesh dhe projektesh, ndër të cilët: Ndërtimi i kullave të vrojtimit në dy plazhe në zonën e Durrësit; Mbështetje për vënien në dispozicion për përdorim të 60 biçikletave për sezonin turistik veror 2014; Mbështetje për dhuratat e fundvitit për Spitalin Pediatrik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, etj.

dërgo këtë faqe | printo këtë faqe